Shefja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova ka thënë të enjten në Prishtinë, se do të jenë shumë të zëshëm për emërimet politike që bëhen në krye të agjencioneve të pavarura në Kosovë.

Në një tryezë diskutimi për zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane, përfaqësuesja e BE-së në Kosovë ka thënë se reformat nuk mund të zhvillohen nëse nuk ka kredibilitet për personat që marrin poste të larta.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti GAP dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike ka prezantuar sot raportin e monitorimit të vitit 2018 për ERA1.

Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova duke përmendur disa prioritete në kuadër të ERA1 që nuk janë përmbushur, foli për emërimet në krye të agjencioneve të pavarura, për të cilat tha se nuk janë në përputhje me vlerat e larta të BE. Apostolova tha se përkundër vonesave në zbatim, ERA1 ka dal të jetë frytdhënëse për Kosovën.

Ajo tha se Kosova është në pritje të raportit të progresit, dhe lansimit të ERA 2.

Ndërsa Dhurata Hoxha, ministre për Integrime Evropiane tha se zbatimi i ERA1 ka ngecur në disa pjesë edhe për shkak të probleme politike me shtetin fqinj, që si pasojë e kësaj nuk është arritur të finalizohen disa marrëveshje ndërkombëtare.

Në tryezën për diskutim ishte edhe Gerrie Willems, ambasadore e Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Ajo kishte disa porosi për institucionet dhe popullin e Kosovës.

Monitorimi i zbatimit të Agjendës për Reforma Evropiane që u bë nga tri organizata të shoqërisë civile, ka pasur qëllim vlerësimin e arritjeve dhe ngecjeve në kuadër të ERA-s.

Raporti nxjerr se ngecjet më të mëdha kanë të bëjnë me legjislacionin në Kuvend, rreth marrëveshjeve regjionale për energjinë dhe transportin, si dhe implementimin e kurrikulave nëpër shkolla.Gjithashtu, sipas raportit, mungesa e vullnetit politik për shtytje të procesit është një nga problemet e identifikuara.

Organizatat rekomandojnë që Ministria për Integrimin Evropian në mbledhjet që do të mbahen në komisionet në Kuvend ta ushtrojë presionin e saj si Ministri, ku mban rolin monitorues të kësaj agjende.Gjithashtu, organizatat propozojnë që Komisioni për Integrime Evropiane në Kuvendin e Republikës së Kosovës të bëjë një analizë të brendshme se ku qëndron arsyeja për vonesat e vazhdueshme.Kujtojmë se Marrëveshja për Stabilizim Asociim është marrëveshja e parë kontraktuese mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, dhe meqë e njëjta është mjaft sfiduese në realizim, Qeveria e Kosovës dhe Komisioni Evropian kishin hartuar Agjendën për Reforma Evropiane.