Shefi i ushtrisë Wagner lë të kuptohet se “po tradhtohet” nga Rusia

Shefi i ushtrisë private Wagner ka thënë që nuk po e merr municionin që po i vyen nga Moska, derisa po provon që të marrë kontrollin e Bakhmutit.

Trupat ruse – nga Wagneri e te forcat e rregullta ruse – po provojnë që ta kapin qytetin lindor nga Ukraina.

Por shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin është ankuar për mungesë municionesh, duke thënë që kjo mund të ishte “burokraci e zakontë apo edhe tradhti”.

Marrëdhëniet mes Wagnerit dhe Moskës duken se janë gjithnjë e më të tensionuara, raporton BBC.

Grupi Wagner ka dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë – disa të rekrutuar direkt nga burgjet ruse – dhe është bërë pjesë kyçe e invazionit të Moskës.

Në një postim të bërë të dielen, z. Prigozhin ka thënë që dokumentet të cilat i ka nënshkruar më 22 shkurt, tregonin se municioni pritej të vinte në Bakhmut menjëherë ditën tjetër.

Por shumica e municioneve nuk ishte ngarkuar fare, tha ai, duke lënë të nënkuptohej se kishim të bënim me veprim të qëllimshëm.

Dhe në një shenjë tjetër të çarjes së tij me Rusinë, Prigozhin tha që përfaqësuesit e tij e kishin pasur të pamundur që të hynin në zyret e komandës ushtarake ruse. Nuk dihet qartë se ku janë këto zyre.

Prigozhin tha që kjo erdhi pasi ai i kishte shkruar shefit të “operacionit special ushtarak” (siç e quan Rusia luftën në Ukrainë), gjeneralit Valery Gerasimov, në lidhje me “nevojën urgjente për të na dhënë municione”.

Në një video tjetër që besohet të jetë filmuar në muajin shkurt, shefi i Wagner thotë se ushtarët e tij po frikësoheshin se do të vendoseshin si kurbanë në rast se Rusia e humbte luftën në Ukrainë.

Në një video të ditës së shtunë, ndërkohë, Prigozhini tha që vija e frontit e Rusisë do të kolapsonte pa trupat e tij.

Muajin e kaluar, Prigozhin u ankua se Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe Gerasimovi po ndalonin furnizimet e municioneve për trupat e tij.