Shefi i kabinetit të Osmanit demanton raportimet se Presidentja i thirri partitë në takim për t’i shtyrë zgjedhjet

Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar pas raportimeve të disa mediave se kjo e fundit ka thirrë partitë në takim për t’i shtyrë zgjedhjet.

Vela përmes një postimi në Twitter thotë se ftesa e presidentes drejtuar parive nuk paraqet vendim për shtyerje të zgjedhjeve, por ka të bëjë me shqyrtimin e rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik lidhur me procesin zgjedhor.

Vela ka sulmuar mediat për raportimin e bërë, duke i quajtur, sipas tij, të “ish-regjimit Pronto”.

“Për mediet e ish-regjimit Pronto: ftesa e Presidentes drejtuar partive për takim konsultativ s’paraqet vendim për shtyerje të zgjedhjeve. Andaj, mos përhapni të pavërteta! Takimi ka te beje me shqyrtimin e opinionit e rekomandimit te IKSHPK lidhur me procesin zgjedhor”, ka shkruar ai.

Presidentja Osmani i ka dërguar ftesë partive politike për ditën e hënë të takohen në ora 17:00, për tu konsultuar në lidhje me rekomandimet e IKSHPK-së.