Shefi i kabinetit të Gërvallës i kërcënon shërbyesit civilë në MPJD

Të punosh për institucionet shtetërore në Kosovë është bërë goxha e rrezikshme.

Pas mësimdhënësve, një kërcënim sot nga një i emëruar politik e morën edhe punëtorët e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Sharr Jakupi, shef i kabinetit të ministres Donika Gërvalla-Schwarz, nga një komunikim që ka siguruar Demokracia.com është nervozuar fort me kolegët e tij në ministri.

Jakupi madje edhe i ka kërcënuar se do të kërkojë të merren masa disiplinore ndaj tyre.

Krejt kjo për shkak se u kishte kërkuar disa materiale informuese për Forumin e Bledit.

Jakupi kishte kërkuar nga shërbyesit civilë në MPJD, që materialet t’i dërgoheshin deri në orën 15:00, por ai gjysmë ore para përfundimit të kohës që ua kishte caktuar vetë ishte nervozuar dhe e kishte shprehur mllefin tek kolegët, duke i akuzuar ata se po refuzojnë ta kryejnë punën.

Demokracia.com ka siguruar e-mailin kërcënues me shumë gabime të Jakupit.

“Të nderuar Drejtorë të departamenteve,

Kabineti kërkuar nga ju që lidhur me pjesëmarrjen e Ministres Gërvalla në Forumin e Bledit, të dërgoni të kompletuara deri në orën 15 të gjitha briefingbooks e nevojshme. Jeni njoftuar që Ministres I duhet sot sepse forumi mbahet së shpejti. Është tërësisht i pakuptueshëm dhe I papranueshëm reagimi. Deri sot në orën 14:30 nuk ka ardhur as edhe një briefingblock I vetëm”, ka shkruar ai.

“Keni në dispozicion 32 zyrtarë, të cilët kanë nga shtatë ore punë për të përgatitur 25 profile, të cilat në fakt do të duhej të jenë të gatshme gjithmonë në departamentet tuaja. Po ashtu është e papranueshme dhe e pakuptimtë tendenca juaj për t’ia deleguar përgjegjësinë dhe detyrat TUAJ misioneve diplomatike”, ka shkruar Jakupi, të cilit në realitet nuk i lejohet ky komunikim, pasi që shërbyesit civilë i japin llogari sekretarit të MPJD-së dhe sekretari i jep llogari më pas kabinetit politik.

Jakupi u ka thënë drejtorëve përmes e-mailit se do t’i pres materialet deri në orën 16:00.

“Pres deri në orën 16 pakon e plotë të kërkuar dhe ju njoftoj që mungesa e tyre do të konsiderohet si refuzim I kryerjes së punës. Në një rast të tillë do të kërkoj të merren masat përkatëse disiplinore për secalin zyrtar gjatë orarit të punës refuzon të kryejë asgjë më shumë se detyrat e tij”, i ka shkruar shërbyesve civilë shefi i kabinetit të Gërvallës, Sharr Jakupi. /Demokracia.com/