Shefi i hetimeve në Policinë e Kosovës, Riza Shillova, në konferencën për media ka thënë se zyrtarët policorë të arrestuar për ryshfet, janë “grup kriminalë”.

Ai deklaroi se përveç zyrtarëve policorë, është arrestuar edhe një biznesmen nga Kaçaniku dhe një zyrtar i MPB-së.

Shillova ka thënë se bëhet fjalë për dy aksione të ndryshme.

Ai ka bërë të ditur se zyrtari i MPB-së, (v.j Arben Mustafa) ka qenë duke u hetuar edhe në raste të tjera.

Sipas tij, para disa muajsh Policia e Kosovës ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale për dyshime të tjera.

Ai ka konfirmuar se janë arrestuar tre zyrtarë policorë.

Kurse shefi i Krimeve Ekonomike, Bashkim Spahiu ka thënë se hetuesit kanë pasur në trajtim raste hetimore dhe dyshohet që për këto raste kanë pranuar ryshfet me ndërmjetësimin e zyrtarit të MPB.

Ai ka thënë se bëhet fjalë për dy raste hetimore ku dyshohet që zyrtarët policorë kanë pranuar ryshfet për të krijuar lehtësi ose favore në këtë hetim.