Shefi i AKI-së ftohet në raportim pas përfshirjes në aferën e dyshuar për shantazh

Kryeshefi i AKI-së, Petrit Ajeti do të ballafaqohet javën e ardhshme me informatat për takimin e dyshuar të tij me kryegjyqtaren kushtetuese Gresa Caka-Nimani.

Të premten e ardhshme, shefi i inteligjencës Petrit Ajeti do të ballafaqohet me informatat për takimin e dyshuar të tij me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani.

Kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) është ftuar për raportim në Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, ka bërë të ditur të mërkurën kryetarja e komisionit, Ganimete Musliu.

Musliu, në një përgjigje me shkrim për Paparacin, ka thënë se si udhëheqëse e komisionit nuk ka marrë ende konfirmim zyrtar për takimin e dyshuar mes Ajetit dhe Caka-Nimanit, për të cilin raportoi Paparaci bazuar në informatat që posedon.

Ajo tha se nga AKI-ja është informuar se raportimi i shefit të inteligjencës para komisionit është caktuar për datën 28 prill, të premten e javës tjetër.

“Si Komision Parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, detyrë kryesore e kemi mbikëqyrjen apo kontrollin demokratik të AKI-së dhe për rastin në fjalë kemi adresuar ftesën me shkrim qe më 26 prill 2023, drejtori i AKI-së që të raportojë para Komisionit Parlamentar për rastin në fjalë”, ka thënë Musliu për Paparacin.

“Nga kabineti i drejtorit kemi marre përgjigjeje me shkrim se në këtë datë drejtori nuk mund të raportojë për shkak se nuk gjendet në Kosovë dhe na ka njoftuar se nga data 28 prill është i gatshëm të vijë para Komisionit”.

Sipas deputetes së PDK-së, raportimi për takimin e dyshuar mes Ajetit dhe Caka-Nimanit përbën një informatë të rëndësishme për t’u verifikuar.

Ajo ka thënë se si Gjykata Kushtetuese, ashtu edhe AKI-ja, janë “institucione të rëndësishme shtetërore.

“Gjykata kushtetuese dhe AKI-ja janë dy institucione të rëndësishme për shtetin tonë. Prandaj në asnjë rrethanë nuk guxojmë të lemë dyshime për cenimin e kredibilitetit dhe pavarësisë së tyre”, ka thënë Musliu.