Shefi dhe ish-shefi i AKI-së rrëfehen para komisionit

Sot para Komisionit Hetimor për rastin e dëbimit të gjashtë turqve nga Kosova do të dalin drejtori aktual të AKI- së, Shpend Maxhuni dhe ish-kreun i saj Driton Gashi.

Në mbledhjen që është paraparë të fillojë në orën 09:00, pritet të intervistohet Maxhuni ndërsa më pas edhe Gashi.

Gjashtë shtetasit turq janë deportuar për në Turqi më 29 mars të vitit të kaluar. Maxhuni në atë kohë ka qenë drejtor i përgjithshëm i Policisë ndërsa Driton Gashi drejtor i AKI-së

Në mars të vitit të shkuar, policia e Kosovës arrestoi gjashtë shtetas turq, punonjës në disa shkolla, në pronësi të klerikut turk Fetullah Gulen, të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi. Gjashtët shtetasit turq ju dorëzuan autoriteteve turke në një operacion që la pas vetes shumë paqartësi dhe dëbimi i tyre u tha se u bë përmes një aksioni të koordinuar mirë ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që u deklarua se nuk kishte njohur për operacionin, shkarkoi ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashi. Në korrik të vitit të kaluar u themelua një komision hetimor parlamentar, i cili gjeti se gjatë operacionit janë bërë 31 shkelje ligjore. Shkeljet më të mëdha janë bërë nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Fondacioni FETO i Klerikut Fetullah Gulen, që jeton në SHBA-së drejton rreth 40 shkolla në Ballkanin Perëndimor përfshirë 15 institucione në Bosnjë, 12 në Shqipëri, 7 në Maqedoni dhe pesë në Kosovë.