Astrit Gashi

‘SHBA tha se Kosova duhet t’i jep diçka Serbisë, që të njihet nga Rusia e Kina’

Astrit Gashi thotë se SHBA i ka përmendur tri pika për Kosovën.

Analisti Astrit Gashi ka thënë se Gjermania ka frikë se me prekjen e kufijve të Kosovës mund të ketë pasoja rajonale.

Ai në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se ideja e shkëmbimit të territoreve më shumë është e Serbisë se e Thaçit.

“Por kjo ide tashmë ka depërtuar edhe në zyrën e Trumpit apo Macronit në Francë, dhe nuk mund të konsiderohet më si ide e Serbisë”.

Gashi ka thënë se nga ajo që ka dëgjuar nga takimet me shoqërinë civile SHBA ka dhënë disa mesazhe për Kosovën dhe Serbinë.

“Duhet arritur një marrëveshje e re Kosovë – Serbi, nuk ka kohë të pafundme për t’u arritur kjo marrëveshje dhe e treta në një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, Kosova duhet të përgatitet t’i dhurojë diçka Serbisë, në mënyrë që të merr dy njohje shumë të rëndësishme e jo disa periferikë. Pra duhet njohja nga Rusia dhe Kina”.

Sipas analistit është e qartë se faktorët ndërkombëtar po paralajmërojnë se Kosova nuk do të mbetet e njëjtë pas një marrëveshje me Serbinë.

“Një pjesë e SHBA dhe Franca po na thonë qartë se Kosova nuk do të mbete kështu”.

Gashi thotë se “kukullat” në bashkësinë ndërkombëtare kanë ndryshuar.

“Qëndrimi ka ndryshuar në SHBA. Më herët nëse ke përmendur ndryshimin e kufijve je shpallur armik i tyre. Deri vonë SHBA nuk kanë komunikuar me Vetëvendosjen për shkak se këta të fundit përmendnin bashimin me Shqipërinë”, deklaroi ndër të tjera analisti Astrit Gashi.