SHBA

SHBA: Ne s’duam luftë me Iranin

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, ka deklaruar se nuk po kërkojnë luftë me Iranin apo përshkallëzim rajonal, por një Lindje të Mesme të qëndrueshme dhe të sigurt.

Ai është shprehur të hënën në televizionin NBC se SHBA-ja kërkon që sulmet e Iranit ndaj trupave amerikane të ndërpriten.

“Ne s’po kërkojmë luftë me Iranin. Nuk po kërkojmë përshkallëzim konflikti në rajon. Natyrisht, këto sulme vazhdojnë të vijnë. Do të vazhdojmë t’i shohim opsionet, unë s’mund të flas në emër të liderit suprem (të Iranit v.j.) se çka do apo nuk do. Por, unë mund t’ju them se çka ne duam. Ajo që ne duam është një Lindje të Mesme të qëndrueshme, të sigurt dhe të begatë, e duam që edhe këto sulme të ndalen”, është shprehur zyrtari amerikan për siguri, ka shkruar TheGuardian.

Tre ushtarë amerikanë u vranë të dielën (28 janar) në Jordani, pas një sulmi me dron, e dhjetëra të tjerë kanë mbetur të lënduar. SHBA-ja ka pretenduar se ushtarët janë vrarë nga sulmet iraniane, derisa këta të fundit kanë mohuar.

Ende nuk është qartësuar plotësisht, derisa autoritetet amerikane kanë thënë se po merren me rastin.