SHBA-ja premton trajnime ushtarake për shtetet baltike

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kryejnë më shumë stërvitje ushtarake me shtetet baltike si Letonia dhe do të kërkojë të ofrojë trajnime të shtuara, ka thënë të mërkurën, Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, duke shtuar se SHBA-ja mund të dërgojë trupa shtesë nga Amerika nëse është e nevojshme për të mbrojtur rajonin kundër kërcënimeve të mundshme ruse, shkroi të mërkurën AP.

Në një konferencë për shtyp me ministrin letonez të Mbrojtjes, Artis Pabriks, Austini tha se planet për rotacione të vazhdueshme të forcave në Baltik mund të vendosin trupa nga brigadat amerikane në Rumani dhe pjesë të tjera të Evropës, por “ne mund të vendosim edhe forca nga Shtetet e Bashkuara”.

Austini është Sekretari i parë i Mbrojtjes i SHBA-së që viziton Letoninë në gati tre dekada, duke nënvizuar rëndësinë në rritje të shteteve baltike, të cilat ndodhen në skajet perëndimore të Rusisë.

Vizita e Austinit ndodhi pasi lufta e Rusisë në Ukrainë hyn në muajin e saj të gjashtë.

SHBA-ja ka vendosur 20.000 trupa të tjera amerikane në Evropë, rreth 100.000 në total, për të siguruar aleatët e NATO-s, për të rritur stërvitjet dhe për të zhvendosur fokusin e forcave në krahun lindor të aleancës.