Zjarrfikësit në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara po përballen me vështirësi për shkak të flakëve që janë përhapur, tha Shërbimi i Pyjeve i ShBA-së të premten.
Rreth 21 mijë zjarrfikës janë duke punuar në terren. Kjo shifër është më shumë se dyfish më e madhe se zjarrfikësit e angazhuar në luftën kundër zjarreve në të njëjtën periudhe të vitit të kaluar.
Anthony Scardina, zyrtar i Shërbimit të Pyjeve për rajonin jugperëndimor të Paqësorit, tha se agjencia është duke u përballur me kufizime kritike të burimeve, shkruan Daily Mail.

Mbi 6.100 zjarrfikës po luftojnë me flakët vetëm në zjarrin Dixie në Kaliforninë Veriore, që është zjarri më i madh në mesin e 100 zjarreve në 14 shtete. Dhjetëra vatra zjarri janë aktive edhe në pjesën perëndimore të Kanadasë.
Që nga viti 1946, të burgosurit janë shfrytëzuar për t’i luftuar zjarret. Një grup i të burgosurve u angazhua për këtë qëllim edhe të premten. Shërbimi është vullnetar dhe secili i burgosur mund të aplikojë, por jo të gjithë pranohen.
Sidoqoftë, në luftën kundër zjarreve nuk lejohen të burgosurit që u kanë mbetur më shumë se pesë vite burgim si dhe ata që janë të dënuar për krime serioze.







