ShBA-ja e shqetësuar për plagosjen në veri, preken edhe nga mohimi fillestar i Policisë

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka deklaruar të martën se ShBA-të janë të janë të shqetësuara për një incident në të cilin një serb i Kosovës u qëllua mbrëmë në Zveçan.

Ai shkroi në Twitter se zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet duhet të kryejnë një hetim të plotë dhe të besueshëm.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga mohimi fillestar i bërë pa kujdesin e duhur”, shkroi diplomati amerikan.

Sipas tij, të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e zbatimit të ligjit dhe sektorit të drejtësisë.

“Mbështetja e SHBA-së për institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multietnik. Ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi”, shtoi Hovenier.

Policia e Kosovës sot ka ka bërë të ditur se një zyrtar policor është i përfshirë në shkëmbim zjarri me armë në pjesën veriore të Kosovës.

Edhe pse policia fillimisht e kishte mohuar të jetë e përfshirë në këtë incident, në pasditen e së martës kanë thënë se kanë suspenduar gjithsej katër zyrtarë policorë të dyshuar për përfshirje në këtë rast.

“Policia e Kosovës, lidhur me rastin ndodhur në orët e vona të datës 10.04.2023 në veri të vendit, ku nga arma e zjarrit ishte plagosur një person, ka vazhduar hetimet intensive me njësitet relevante policore nga niveli rajonal dhe ai qendror, me qëllim të hetimit dhe ndriçimit sa më parë të këtij rasti. Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri.”, thuhet në komunikatën e policisë.