‘SHBA i sheh Serbinë e Kosovën si dy shtete sovrane që duhet të arrijnë marrëveshje’

Zëvendësndihmës sekretari i Shtetit i SHBA, Matthew Palmer ka deklaruar se është koha e fundit për arritjen e marrëveshjes midis Beogradit e Prishtinës.

Ai ka rikujtuar porosinë e presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka thënë se negociatorët duhet të shfrytëzojnë “shansin historik” për të arritur marrëveshjen, transmeton Koha.net raportimin e mediave të Beogradit.

Gjatë një interviste për numrin e prillit të revistës “Cord”, që e boton Beogradi në gjuhën angleze, Palmer u bëeri thirrje të dy palëve që të shmangin hapat të cilët vështirësojnë kompromisin. Ai ripërsëriti se SHBA nuk janë pjesë e negociatave, por shtoi se ajo mbështet fuqishëm dialogun midis Beogradit e Prishtinës të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe se normalizimi i marrëdhënieve ka rëndësi thelbësore për aspiratat e tyre europiane.

“Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshje të zbatueshme, të qëndrueshme dhe që nuk shkakton destabilitet në asnjë vend ose në rajon. Ne do ta shqyrtojmë me seriozitet cilëndo marrëveshje që përmbush këto kushte”, ka thënë Palmer.

Palmer ka ripërsëritur se SHBA nuk kërkon as nuk do të kërkojë se si duhet të duket zgjidhja, dhe se procesi dhe vetë marrëveshja duhet të burojnë nga të dy palët dhe se vetëm ashtu mund të jetë e zbatueshme përgjithmonë në Kosovë e në Serbi. “Nxisim të dy palët që plotësisht ta udhëheqin procesin, të ulin retorikën negative dhe të punojnë bashkërisht në mënyrë konstruktive për marrëveshjen. Serbia e Kosova janë pathyeshëm të ndërlidhura, asnjëra palë nuk do të mundë të eci përpara pa marrëveshje për normalizimin gjithëpërfshirës”, citohet të ketë thënë ai.

Palmer ka përsëritur se SHBA i shohin Serbinë e Kosovën si dy shtete sovrane që duhet të marrin vendime në interes e tyre më të mirë. “SHBA mbesin të përkushtuara ndaj pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës dhe partneritetit me Kosovën e Serbinë atje ku qëllimet tona janë të harmonizuara”, është shprehur .

“SHBA është e bindur se interesat e Kosovës e të Serbisë do të realizohen më së miri me marrëveshjes bilaterale që shpie nga normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve të përqendruara në njohjen e ndërsjellë”, citojnë mediat Palmerin.

“Ne nuk marrim anë dhe as ofrojmë zgjidhje të gatshme. BE-ja është ndërmjetëse në dialog dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në këtë drejtim”, është shprehur ai, duke rikujtuar fjalët e shkruara nga presidenti Trump se do të ishte për keqardhje të lëshohej ky shans unik për paqe, siguri e rritje ekonomike.

“Që të dy palët do të kishin dobi nga marrëveshja, ndërsa të dy vendet do të humbin shumë nëse nuk arrijnë marrëveshje. Konflikti i ngrirë do të minonte qëllimin e përbashkët për Ballkanin Perëndimor stabil, të sigurt dhe prosperues”, ka thënë ai.

I pyetur që të komentojë faktin se Prishtina po refuzon heqjen e taksës ndaj mallrave nga Serbia edhe pas kërkesave të shumta nga SHBA, Palmer ka thënë se edhe Beogradi, edhe Prishtina duhet të shmangin hapat që vështirësojnë kompromisin. “Ne jemi të bindur se këto tarfia janë kundërproduktive. Asnjëra palë nuk duhet të përpiqet për sukses taktik në dëm të qëllimit strategjik. Pa të dy palët rreth tryezës negociuese dialogu nuk mund të përparojë dhe asnjë vend nuk do të mund të ecë përpara në rrugën europiane”, ka thënë Palmer.

Palmer ka shtuar se “është koha e fundit që Serbia e Kosova të ndërmarrin hapa për ndërtimin e besimit në procesin negociator dhe të punojnë bashkë për të ardhme më të mirë të të dy vendeve e të rajonit”. Tani ka rëndësi që Kosova dhe Serbia të shmangin provokimet, të ulin e tensionet dhe të zbusin retorikën dhe të bashkëpunojnë për masa që nxisin siguri e paqe për banorët e të dy vendeve”.

I pyetur se prej nga e ka bindjen që marrëveshja midis Beogradit e Prishtinës do të arrihet deri në fund të vitit, Palmer është përgjigjur se gjithnjë e më shumë po kuptohet se me të madhe ka kaluar afati për zgjidhjen e konfliktit nga e kaluara dhe për ngritjen e të ardhmes më të mirë.

“Populli i Serbisë dhe i Kosovës dhe rajoni i gjerë i Ballkanit meritojnë po atë të ardhme stabile e të qetë si Gjermania, Franca, Portugalia ose cili do nga vendet”, ka thënë Palmer, transmeton Koha.net.

Në Shqipëri është paralajmëruar vizita e tij për javën e ardhshme.