SHBA, gjykata e apelit rikthen në fuqi urdhrin për vaksinim të detyrueshëm

Një gjykatë apeli i dha sërish fuqi ligjore për t’u zbatuar një urdhri mbarëkombëtar për vaksinim ose testim të detyrueshëm për COVID-19 që prek bizneset e mëdha.

Urdhri ndikon tek 80 milionë punonjës amerikanë dhe zbatohet tek bizneset me të paktën 100 punonjës. Vendimi nxiti kundërshtarët e tij t’i drejtohen Gjykatës së Lartë duke kërkuar ndërhyrjen e saj. Rreth një muaj më parë, një gjykatë më e ulët vendosi ta bllokojë urdhrin.

Presidenti Joe Biden e bëri publik vendimin në muajin shtator me synimin për të rritur shkallën e vaksinimit, si një mënyrë për të luftuar pandeminë, e cila ka shkaktuar deri tani më shumë se 750,000 vdekje si dhe ka dëmtuar ekonominë. Vendimi vjen në një kohë kur zyrtarët amerikanë të shëndetit publik po përgatiten për një valë infeksionesh me koronavirus ndërsa varianti më i ngjitës Omicron po përhapet me shpejtësi në mbarë botën.