SHBA e BE duan zbatim të menjëhershëm të marrëveshjeve

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të nisin menjëherë të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve. Ndërkaq, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka thënë se do të shikojnë nga afër zbatimin e marrëveshjeve, teksa ai ka njoftuar ministrat e BE-së për marrëveshjen e 18 marsit në Ohër.

Zbatim të menjëhershëm të marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka kërkuar faktori ndërkombëtar.

Një kërkesë të tillë, ata e kanë bërë pak ditë pas pajtimit të radhës që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka arritur me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, këtë marrëveshje e ka vlerësuar si historike, duke thënë se për normalizimin e raporteve ndërmjet të dyja shteteve, duhet të nisë menjëherë zbatimi i saj.

Gjatë një diskutimi virtual me gazetarë, Escobar ka thënë të hënën se pajtimi i arritur më 18 mars është marrëveshje në të gjitha aspektet dhe është ligjërisht e obligueshme, që do të jetë pjesë e rrugës evropiane të të dyja shteteve.

Zyrtari i lartë amerikan ka thënë se për Kosovën është e rëndësishme që të nisë draftimin e versionit të saj për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, derisa sipas tij, Serbia duhet të nisë të njohë dokumentet dhe simbolet shtetërore të Kosovës.

“Kjo marrëveshje është nisja e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë. Ka shumë punë që duhet të bëhet përtej kësaj marrëveshjeje.”, tha Gabriel Escobar – Emisar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka deklaruar se marrëveshja e arritur në Ohër konsiderohet si pjesë përbërëse e rrugës evropiane për Kosovën dhe Serbinë.

Për këtë marrëveshje, ai të hënën ka njoftuar ministrat e BE-së, duke thënë se do ta shohin nga afër zbatimin e saj.

“Kishim diskutime të gjata, dhe më në fund kemi një marrëveshje, e cila do të konsiderohet si pjesë integrale e rrugës evropiane për të dyja vendet. BE-ja do të jetë pjesë e kapitujve të negociatave me Serbinë, kapitulli 35, dhe do të përfshihet në dokumentet e normalizimit dhe kërkesat për Kosovën. Pra, tani është diçka përpiluese dhe ne do të duhet të shikojmë nga afër zbatimin, të dyja palët ranë dakord dhe u angazhuan për ta bërë atë. Pra, le të shikojmë me kujdes se si do të ndodhë.”, tha Josep Borrell – Shef i diplomacisë evropiane.

Brenda pak javëve, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje, njërën më 27 shkurt në Bruksel dhe tjetrën më 18 mars në Ohër.