SHBA, Britania, Gjermania dhe Polonia dalin në krah të Kosovës, bllokojnë Këshillin e Sigurimit

Ende mbetet e paqartë nëse Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të debatojë për Kosovë më 7 shkurt.

SHBA, Britania e Madhe, Gjermania dhe Polonia janë shprehur fuqishëm kundër raportimit tremujor të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Kosovën, ka thënë ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq.

Daçiq në konferencë për gazetarë ka thënë se për herë të parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nuk u miratua rendi i ditës, i cili propozohet çdo muaj nga kryesuesi i radhës, transmeton Ballkani.info

Daçiq shpjegoi se seanca për t’u diskutuar mbi raportin e rregullt është planifikuar për 7 shkurt, por nuk është e sigurt nëse do të jetë për Kosovën, pasi ka të ngjarë që rendi i ditës të miratohet atë ditë.

“Ne vështirë se mund të marrim nëntë vota për të qenë në agjendë, pasi nuk ka veto, por as nuk mund të marrin nëntë vota për të shkuar”, tha Daçiq.

Ndryshe, SHBA dhe Britania e Madhe tash e sa kohë kanë bërë thirrje që në Nju Jork të mos ketë seanca mbi raportin e rregullt të UNMIK-ut për Kosovën, duke pranuar kështu realitetin e ri të krijuar me shpalljen e Kosovës shtet të pavarur. /Ballkani.info/