Tranzicioni

SHBA: Asnjë vend nuk mund të vërë veto në transformimin e FSK-së në Ushtri

Ambasada e SHBA-së në Kosovës ka kumtuar se ky vend e vazhdon përkrahjen e transicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri profesionale.

Ajo ka shtuarse asnjë vend nuk mund të vërë veto në këtë, njofton rtk në gjuhën serbe.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta përkrahin transicionin transparent të FSK-së në ushtri profesionale me mandat të kufizuar për mbrojtje territoriale. Asnjë vend nuk mund të vërë veto në këtë tranzicion”, është përgjigja e Ambasadës së SHBA – së në pyetjen e rtk2 se cili është qëndrimi i Washingonit rreth transformimit të kësaj force.

Sipas Ambasadës, ky proces duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të ketë parasysh natyrën multietnike, pa harruar që çdo gjë duhet të koordinohet me aleatët dhe NATO-n.

“Ne u bëjmë thirrje liderëve politikë të Kosovës që të sigurohen se ky proces të vazhdojë në mënyrë gjithëpërfshirëse të pasqyrojë natyrën multietnike të Kosovës. Është thelbësore që Kosova, nga ky moment e tutje, të jetë e koordinuar ngushtë me aleatët e NATO-s dhe se me të gjithë qytetarët të angazhohen deri në tranzicion “, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Asamblesë së Forcës së Sigurisë së Kosovës para dy ditësh ka miratuar propozimet për tre projektligjet përmes të cilave do të bëhet shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

Gjatë vizitës në Amerikë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ishte takuar edhe me Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA-së, James Matiss, ku kishte marrë mbështetjen e tij për të vazhduar përpara me formimin e ushtrisë.

“Kosova ka bekimin e Shteteve të Bashkuara, ministrisë së mbrojtjes – për ushtrinë e Kosovës. Është mbështetja më e mirë që sjellim nga Amerika këtë kohë, ” ka deklaruar Haradinaj ditë më parë.