Xherdan Shaqiri

Shaqiri i godet kritikët: Unë meritoj respekt sepse jam fitues i Ligës së Kampionëve

Xherdan Shaqiri i ka goditur kritikët, duke ua kujtuar se ai është fitues i shumë trofeve, përfshirë i Ligës së Kampionëve me Bayern Munichun, si dhe ka insistuar se duhet të mbahet në mend për sukseset dhe jo për rënien nga Premierliga me Stoke Cityn sezonin e kaluar.

Kosovari i Zvicrës, i cili iu bashkua Liverpoolit këtë verë për rreth 15 milionë euro pas rënies së Stoke nga Premierliga, ka thënë se duhet të mbahet në mend për trofetë që i ka fituar me Baselin dhe Bayern Munichun, e jo për rënien nga liga sezonin e kaluar me Stoke, transmeton Gazeta Express.

Po ashtu, Shaqiri ka reaguar ashpër ndaj sugjerimeve se Jurgen Klopp e ka transferuar atë thjesht për ta plotësuar numrin e lojtarëve në Liverpool.

27-vjeçari nga Kosova ishte pjesë e skuadrës së Bayern Munichut që u shpall kampione evropiane më 2013.

Ai i ka fituar dy tituj të Bundesligës, dy Kupa të Gjermanisë dhe Kupën e Botës për Klube me gjigantin gjerman Bayern, si dhe tre tituj të Zvicrës me Baselin.

“Rënia nga liga me Stoke ishte përvojë shumë e keqe për klubin dhe mua dhe shpresojë se klubi do të rikthehet në Premierligë. Por, përkundër asaj që ndodhi atje, unë jam fitues i Ligës së Kampionëve. Mendoj se kjo meriton respekt”, ka thënë Shaqiri.

“Njerëzit duhet ta mbajnë në mend se ku kam luajtur më parë, cilësitë që i posedoj, si dhe atë që e kam arritur në futboll. Kam luajtur për njërin prej klubeve më të mëdha në botë, Bayern Munich, dhe përsëri po luaj për një klub shumë të madh, prandaj nuk ndiej presion në fanellën e Liverpoolit”, shtoi ai.

Shaqiri ka pasur edhe një periudhë të shkurtër te gjiganti italian Inter.