Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se është e çuditshme deklarata e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilën e ka bërë pas publikimit të raportit të IKD-së “Problemet e reformës në drejtësi” (Analizë e katër Projektligjeve që dalin nga “Deklarata e Përbashkët e Zotimeve”), pasi aty janë të dhënat që objekt analize kanë Projektligjet e publikuara në platformën e konsultimeve punuese dhe IKD ka qenë pjesë e grupeve punuese.

Haxhiu kishte deklaruar sot se raporti i IKD-së nuk qëndron dhe se sipas saj IKD nuk i ka informacionet e duhura sa i përket reformës në drejtësi.

Në emisionin “Tempus” në KTV, Shala tha se nuk e di se cili informacion i mungon ministres dhe se e konsideron pamaturi të ministres për një deklaratë të tillë.

Shala tha se në dy raportet e publikuara nga IKD, janë të dhëna që për objekt analize kanë dy projektligjet që janë publikuar në platformën e konsultimeve publike.

“Është pak e çuditshme kjo deklaratë për shkak se të dhënat që trajtojnë dy raportet, edhe ai sot edhe ai të premten, janë të dhëna që për objekt analize kanë dy Projektligjet që janë publikuar në platformën e konsultimeve publike”, tha ai.

Gjithashtu, Shala tha se IKD ka qenë po ashtu edhe pjesë e grupeve punuese për draftimin e këtyre projektligjeve dhe që logjikisht i bie që informatat derivojnë nga këto burime.

“Përderisa kemi qenë vazhdimisht edhe pjesë e grupeve punuese edhe e kemi pa Projektligjin, nuk e di për çfarë informacioni, cili është ai informacion që ne nuk e kemi dhe që do duhej ta kishim”, shtoi Shala.

Tutje, ai tha se në kuptim të bashkëpunimit ndërinstitucional është fakt i ditur, se deri më 20 mars të vitit 2024, ka pasur takime të vazhdueshme mes akterëve të sistemit të drejtësisë, Ministrisë së Drejtësisë, KGJK-së, KPK-së, e të tjera, për draftimin e këtyre projektligjeve, derisa më 20 mars të këtij viti janë tërhequr.

“Ambasada Amerikane, Zyra e Bashkimit Evropian, OSBE, kanë shfaqur edhe keqardhjen e tyre pse të gjithë akterët e sistemit të drejtësisë nuk janë bashkë për të adresuar problemet që duhen të adresohen përmes deklaratës së zotimeve”, deklaroi Shala.

Shala tha se kjo është një pamaturi të cilën nuk e kupton.

“Dua të besoj që ky ka qenë një lëshim teknik dhe pamaturi e ministres së Drejtësisë, pasi nuk dua të besoj se kjo është bindje, se nëse është bindje, atëherë ministrja e Drejtësisë është e painformuar dhe definistivisht nuk do duhej të paraqitej kjo situatë, thjesht është një pamaturi të cilën nuk e kuptoj”, shtoi ai. /BetimipërDrejtësi