Deputeti i PDK-së

Shala: Pushteti ka qasje ekstreme ndaj opozitës

Tri herë ka dështuar të konstituohet komisioni hetimor parlamentar për rezervat shtetërore për shkak të mungesës së deputetëve të Vetëvendosjes.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, e ka quajtur ekstreme qasjen e pushtetit ndaj partive opozitare. Në emisionin “60 Minuta” ai ka shtuar se dështimi për ta formuar këtë komision është shkarje politike.

“Është shkarje e madhe logjike, juridike dhe politike sepse si opozitë e keni mbështetur kërkesën e LDK-së dhe kemi kërkuar të formohet komisioni hetimor parlamentar. Kemi pritur të vazhdoj normalisht punën një mekanizëm legal i Kuvendit, por që tash kemi herën e tretë të orvatjes dhe VV-ja nuk vjen për ta funksionalizuar komisionin për rezervat shtetërorë. Mazhoranca ka qasje ekstreme në raport me opozitën”, ka deklaruar ai.

Shala ka kërkuar përgjigje nga pushteti pasi sipas tij po i ikë përgjegjësisë për të ditur çfarë ka ndodhur me rezervat shtetërore.

“Shpërfaqja e korrupsionit dhe keqmenaxhimit juridik dhe financiar është më shqetësuese se që di publiku, sepse ka 1 vit e gjysmë që kemi insistuar por nuk kemi marrë përgjigje. Si ka mundësi që të mos marrim llogari për buxhetin, për cilësinë e grurit që e kemi në treg, për çmimin që e kemi blerë, pse të mos e dimë kush janë akterët që e kane kontraktuar atë”, ka shtuar ai.

Shala ka ngritur dyshime edhe për rritjen ekonomike të proklamuar nga Qeveria.

“Si ka mundësi të proklamojë kaq rritje ekonomike kur statistikat thonë se vetëm tri vjetët e fundit kanë dalë rreth 99 mijë qytetarë në Gjermani. Si ka mundësi kur nuk e kemi asnjë investitor strategjik të jashtëm, si ka mundësi që një shtet është sanksionuar nga SHBA-ja dhe të kemi rritje ekonomike”, ka thënë deputeti Shala.