Shala i PDK-së: Vendimi për suspendimin e drejtorit të KEK-ut, i vonuar

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka bërë me dije se vendimi i Bordit Drejtues të KEK-ut për të suspenduar drejtorin e kësaj kompanie, Nagip Krasniqi, është i vonuar.

Në debatin e sotëm parlamentar, i cili është thirrur nga opozita, ai ka thënë se Qeveria duhet të distancohet nga Krasniqi.

“E konsiderojmë të papranueshëm faktin se bordi i drejtorëve si organi më i lartë drejtues i ndërmarrjes ka reaguar me vonës në pezullimin e z. Krasniqi, i cili tashmë është i arrestuar. Rrjedhimisht çfarëdo mosveprimi dhe mos distancomi nga z. Krasniqi, bordi i drejtorëve dhe Qeveria e Kosovës janë po aq përgjegjës për një rast të tillë për të cilin drejtori i KEK është arrestuar për shkak të dyshimit që ka kryer vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konflikt interesi”, ka thënë Shala.

Sipas tij, bordi i kësaj kompanie ka bërë shkelje edhe dje kur ka vendosur të emëron pasuesin e Krasniqit.

“Po ashtu bordi i drejtoreve dhe qeveria dje bën shkeljen e radhës, duke vendosur ushtrues të detyrës së kryeshefit të KEK-ut Përparim Kabashin, i cili gjithashtu rezulton të jetë i dyshuar për vepra penale në demë të ndërmarrjes KEK”, ka thënë Shala.