Shaip Muja për Ballkani.info: Është shpifje, nuk jam intervistuar nga Gjykata Speciale

Disa media sot raportuan se ish-deputeti nga radhët e PDK-së, Shaip Muja, është intervistuar nga Gjykata Speciale para rreth dy muajsh, por që deri më tani është mbajtur tërësisht fshehtë edhe nga prokurorët e Dhomave të Specializuara, por edhe nga vetë ish-deputeti dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Shaip Muja.

Sipas raportimit të mediave Muja është kontaktuar fillimisht në Prishtinë dhe është intervistuar më pas në Hagë.

Mirëpo, këto raportime janë hedhur poshtë kategorikisht nga ish-deputeti Muja.

Muja për Ballkani.info ka thënë se kjo nuk është e vërtetë dhe se avokati i tij do të denoncojë median që raportoi për këtë intervistim.

Ai këtë e ka quajtur shpifje.

“Unë i tregova edhe gazetarit i cili ka raportuar për këtë gjë, avokati im do të merret me padinë ndaj tij për këtë shpifje që e ka bërë”, ka shtuar Muja për Ballkani.info.

Gjykata Speciale deri më tash ka intervistuar dhjetëra ish pjesëtarë të UÇK-së dhe ish drejtues të luftës së UÇK-së. Mirëpo, ende nuk dihet se nëse ata janë intervistuar si të dyshuar apo si dëshmitarë.

Po ashtu ende nuk është zyrtarizuar asnjë aktakuzë. /Ballkani.info/