Kandidati për deputet nga radhët e Partia Demokratike e Kosovës, Shaip Kadriaj, ka vlerësuar pjesëmarrjen e qytetarëve në një tubim politik në Malishevë, duke e cilësuar atë si dëshmi të rritjes së mbështetjes për ndryshim.

Përmes një postimi publik, Kadriaj ka deklaruar se Malisheva tregoi fuqinë e saj, ndërsa theksoi se gjithnjë e më shumë qytetarë po kërkojnë një qeverisje që sjell zhvillim dhe perspektivë.

“Malisheva e tregoi fuqinë e saj. Sot, bashkë me mijëra qytetarë të ndershëm, u dëshmua se vullneti për ndryshim po rritet çdo ditë. Njerëzit janë lodhur nga premtimet e pambajtura dhe kërkojnë një qeverisje që sjell zhvillim e perspektivë”, ka shkruar Kadriaj.

Ai ka veçuar edhe praninë e familjarëve të ish-presidentit Hashim Thaçi në aktivitet, duke thënë se pjesëmarrja e tyre u prit me respekt nga një numër i madh i të pranishmëve.

Sipas Kadriajt, prania e vëllezërve të Thaçit u konsiderua nga shumë pjesëmarrës si një shenjë e vazhdimësisë së besimit në vlerat që, sipas tij, kanë përfaqësuar ndër vite.

Deklarata e kandidatit të PDK-së vjen në kuadër të aktiviteteve elektorale, ndërsa partitë politike po intensifikojnë takimet me qytetarët në prag të procesit zgjedhor.