Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaip Kadriaj, i cili garon me numrin 57, ka zhvilluar një takim falënderues me strukturat dhe aktivistët e nëndegës së PDK-së në St. Gallen të Zvicrës.

Kadriaj, i njohur si një nga aktivistët e angazhuar të diasporës shqiptare në Zvicër, tha se takimi u organizua për të vlerësuar punën dhe përkushtimin e aktivistëve gjatë gjithë procesit organizativ.

“Në nëndegën e St. Galles, bashkë me Artanin, zhvilluam një takim falënderues për punën dhe angazhimin e jashtëzakonshëm gjatë gjithë procesit nga regjistrimi e deri te finalizimi me sukses i tij”, ka shkruar ai.

Ai u shpreh mirënjohës për secilin aktivist, mbështetës dhe qytetar që kontribuoi në organizimin dhe mobilizimin e strukturave të partisë në diasporë.

“Mirënjohës për secilin aktivist, mbështetës dhe qytetar që kontribuoi pa u ndalur. Bashkë vazhdojmë fuqishëm!”, theksoi Kadriaj.

Takimi në St. Gallen vjen në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme të PDK-së me diasporën shqiptare në Zvicër, e cila konsiderohet një ndër mbështetjet kryesore të partive politike nga Kosova.