Shahini: Në rrugën “Muharrem Fejza” po shkaktohet rrezik i përgjithshëm, prokuroria të hap hetimet

Që nga muaji prill kur kanë filluar punimet në rrugën “Muharrem Fejza”, banorët e lagjes “Mati 1”, vazhdojnë të kenë telashe, për qarkullim në këtë pjesë të rrugës.

Kjo për shkak të mosavansim të punimeve dhe implementim të planit të mobilitetit.

Dren Shahini, kryetar i kësaj lagjeje në një intervistë në emisionin “Alarm” në ATV, foli në lidhje me këtë problematik.

Ai tha se kushtet e vështira për të qarkulluar në këtë pjesë të rrugës po shtohen dita ditës, duke shkaktuar problem te të gjithë qytetarët.

“ Kjo është përditshmëria jonë, me baltë, me gropa, tash e gjashtë muaj jemi në këtë gjendje, verës që ka qenë me pluhur, e tash kur ka filluar sezona e reshjeve të shiut, me puseta e gropa të hapura. Ka shumë raste që edhe banorët edhe nxënësit e shkollës “Pavarësia”, përballen me vështirësi por përveç kësaj po shkaktohet shkelje të të drejtave të njeriut, sepse ka persona që janë më aftësi të kufizuar e që janë mbyllur tash e gjashtë muaj si dhe persona në moshë të shtyrë sepse nuk kanë nga të lëvizin, ka prind me karroca që mezi lëvizin, pastaj edhe fëmijët që bëjnë shumë mund derisa mbërrijnë te shkolla e lagjes. Për të gjithë lagjen është një ankth i vërtet, d.m.th. punimet kanë filluar pa një koordinim me qytetarët, pa sigurimin e rrugëve alternative, pa sigurimin e rrugëve për këmbësorët, pastaj jemi edhe në kohë pandemie dhe ujërat e zeza janë krejtësisht në sipërfaqe”, tha ai.

Tutje ai bëri thirrje që prokuroria e shtetit të fillojë hetimet në këtë pjesë të rrugës, me arsyen që sipas tij në këtë pjesë të qytetit po shkaktohet rrezik i përgjithshëm.

“Ne si banorë kemi qenë aktiv dhe kemi ngritë zëri që të bëhet një zgjidhje sa më e shpejtë, por që edhe njëherë i bëjmë thirrje prokurorisë së shtetit që të hapin hetimet mbi punimet në rrugën ” Muharrem Fejza ,sepse kanë çfarë të gjejnë, janë kabllot që kanë qenë të zhveshura gjithandej, janë gropat, pusetat e hapura, mos siguria e vend punishtes e të tjera që për ne ka qenë një ferr u vërtetë”, tha Shahini.

Punimet në rrugën “Muharrem Fejza”, ishte planifikuar që të përfundojnë në muajin gusht por që nga muaji prill kur kanë filluar punimet, kanë përfunduar vetëm 200 metrat e para të rrugës, nga 1.2 kilometra që duhet gjithsej të kryhen.

Shahini është kandidat për Asamble të Prishtinës nga radhët e AAK-së.

Kujtojmë se banorët e lagjes “ Mati 1”, kanë protestuar disa herë për shkak të neglizhencës së punimeve në këtë rrugë.