Sfidë e madhe mbledhja e tatimeve mbi qiranë

Derisa kërkesat për banesa me qira në Prishtinë janë shumë të mëdha, për Administratën Tatimore sfidë mbetet mbledhja e tatimeve mbi qiratë.

Në ATK thonë se e kanë të pamundur të kontrollojnë çdonjërin që i shmanget kësaj takse. Gjatë vitit 2018, ATK ka arritur të inkasojë rreth 13 milionë euro nga qiratë e banimit.

Prishtina, si kryeqytet i Kosovës, është qyteti më i preferuar nga qiramarrësit, dhe një pjesë të konsiderueshme të tyre e përbëjnë studentët. Shumë prej tyre banojnë në shtëpi private dhe nuk kanë kontrata banimi, duke ua mundësuar qiradhënësve që t’i shmangen pagesës së tatimit mbi qira. Këtë e pohojnë për Radio Kosovën disa nga qiradhënësit dhe qiramarrësit e intervistuar.

Shqipja, nga komuna e Rahovecit, jeton në Prishtinë tash e tetë vite. Përgjatë kësaj kohe, ajo ka paguar qira mujore 250 euro, ndërsa asnjëherë nuk ka pasur kontratë banimi, e me një përllogaritje të thjeshtë i bie që shtetit në këtë rast është dëmtuar me rreth 2 mijë e 400 euro.

“E paguaj 250 euro në muaj. Pronari nuk ka deshtë të bëjë kontratë, ndërsa qiranë e paguaj me para kesh.”

Ngjashëm është edhe për Veneren, e cila jeton në Prishtinë tash e katër vite, por nuk ka kontratë banimi. Ajo në muaj paguan 300 euro.

“Nuk kemi kontratë me qiramarrësin, sepse prej fillimit qiramarrësi nuk ka dashur të nënshkruajë kontratë. Kushtet nuk janë të mira, del problemi i çezmës, i bojlerit, i elementeve të tjera, dhe të gjitha këto po duhet vetë ne t’i rregullojmë me paratë tona, se po thotë na t’i kemi lënë mirë, dhe s’jemi të sigurt ta dimë a janë mirë a jo, se po prishen shumë shpejt.”

Këtë e konfirmojnë edhe vetë qiradhënësit, por hezitojnë të flasin para mikrofonit, për arsye të shmangies së tatimit. Në off rekord, një nga ta thotë se lëshon me qira për studentë shtëpinë e tij një katesh. Ai thotë se të hyrat mujore nga qiramarrësit në muaj i ka 300 euro.

Sipas të dhënave zyrtare të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, numri i përgjithshëm i studentëve në këtë vit shënon rreth 42 mijë studentë. Nëse vetëm gjysma e tyre janë me banim me qira dhe pa kontratë banimi, kjo i shkakton humbje buxhetit të shtetit miliona euro.

Ndërkohë, zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës, Valentina Bytyqi- Sefa, thotë se vlera e përgjithshme e detyrimeve tatimore për vitin 2018 vetëm për qiratë është 13 milionë e 29 mijë e 694 euro. Këtu përfshihen edhe qiratë e objekteve afariste, që nuk janë të pakta.

Të pyetur nëse janë shqiptuar dënime për ata që i shmangen pagesës së tatimit në qira, Valentina Bytyqi- Sefa thotë se dënimet lëshohen në bazë të parregullsive, por, sipas saj, nuk do thotë që lidhen ekskluzivisht vetëm me një lloj të caktuar të tatimit.

“Tash jemi në një tranzicion, ku teknologjia ka arritur në një shkallë shumë të lartë, dhe një pjesë e shërbimeve i kanë kryer punët përmes internetit. Ne e kemi të pamundur t’i kontrollojmë të gjitha, mirëpo për çdo tatimpagues apo individ për të cilin konstatojmë se ka të hyra dhe nuk po deklaron pjesë për administratë tatimore, janë marrë dhe do të merren dënime. Konkretisht, të flasim për secilën e kemi të pamundur, por nga informacionet që mbledhim nga inspektorët apo edhe nga qytetarët, ku një qytetar dyshon për ndonjë rast ku po ushtrohet një veprimtari e ngjashme si kjo dhe i shmanget tatimit, ne e verifikojmë, monitorojmë dhe në bazë të saj edhe ndëshkojmë.”

Derisa nuk ka kontrata të banimit, nuk ka as numër të saktë të qiradhënësve në nivel të Kosovës. Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, për Radio-Kosovën, konfirmojnë se nuk kanë të dhëna për numrin e objekteve me qira në Kosovë.

Në Interkapital, një nga agjencitë e shitblerjeve dhe qiradhënieve për shtëpi, banesa e lokale, theksojnë se interesimi për banim me qira në Prishtinë, qoftë shtëpi, banesa apo lokale komerciale, është i lartë. Arben Asllani, nga kjo kompani, në një përgjigjeje elektronike, tha për Radio-Kosovën se qiraja për shtëpi sillet mesatarisht 700 euro deri 800 euro. Banesat sillen mesatarisht 250 euro deri 300 euro, komercialet sillen mesatarisht 8 euro deri 10 euro për metër katror (zyrë), ndërsa lokalet afariste nga 12 euro deri 15 euro për metër katror, duke përjashtuar lokalet shumë atraktive.

Interesim për të lëshuar shtëpitë dhe banesat me qira të përkohshme duket se kanë shënuar rritje me rritjen e numrit të vizitorëve të huaj. Mjafton të kërkosh në platformën online AirBNB(ejr bienbi) për të marrë shtëpi banimi me qira vetëm për një natë në Prishtinë, çmimi sillet deri në 40 euro. E të tilla shtëpi në këtë platformë mund t’i gjesh mbi 300 sosh.

Shmangia nga tatimi, sipas Nenin 313 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është vepër e dënueshme. Në bazë të Kodit Penal, kushdo që me qëllim fsheh apo i shmanget pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, mund të dënohet me burg nga tri deri në 8 vjet burg, varësisht nga shuma.