Rifat Brahimaj

Sfidat me operacionet e zemrës në QKUK

Një doktor që bën operacione në zemër të hapur paguhet aktualisht rreth 560 euro. Ndërkohë, përveç pagave të ulëta të stafit mjekësor, sfiduese në Klinikën e Kardiokirurgjisë në QKUK mbeten mungesat e ilaçeve, stafit mjekësor si dhe hapësirave të mjaftueshme për organizimin e intervenimeve në zemër, raporton emisioni “Udhëve” në RTK

Zejdi Krasniqi nga komuna e Kamenicës as që kishte pritur që vetëm një ditë pas operacionit në zemër të hapur do të mund të komunikojë. Ndonëse duke u trajtuar në Intensivën e Kardiokirurgjisë së QKUK-së, ai është shumë i kënaqur me përmirësimin e shpejt të gjendjes shëndetësore dhe pret që sa më parë të dalë nga sptiali ku është operuar. Por, pavarësisht gjendjes së përmirësuar shëndetësore, kushtet në të cilat punon stafi mjekësor në Klinikën e Kardiokirurgjisë janë jashtëzakonisht të mangëta.

Mungesa e stafit, mungesa e hapësirave të mjaftueshme, radhët e gjata të pritjes për intervenime në zemër si dhe mungesa e ilaçeve, janë një varg problemesh që sfidojnë gjatë çdo dite të punës stafin por edhe pacientët që trajtohen në Klinikën e Kardiokirurgjisë.

“Kemi mungesa hapësinore por edhe mungesa të stafit të mesëm”, ka thënë Rifat Brahimaj, drejtor i Klinikës.

Një doktor që bën operacione në zemër të hapur, e që ka përgjegjësi të jashtëzakonshme, sipas tij, paguhet aktualisht rreth 560 euro, shumë kjo qesharake në relacion me përgjegjësinë dhe nivelin e shkollimit.

Emisioni “Udhëve” në RTK ka identifikuar edhe një varg problemesh gjatë një raportazhi në Klinikën e Kardiokirurgjisë.

Infermierja Luljeta Ramadani, e cila punon në repartin intensiv të Kardiokirurgjisë, thotë se sipas standardeve për ofrimin e shërbimeve shëndetësore në repartin ku ajo punon një infermier do të duhej të ofrojë shërbime jo më shumë se për një pacient.

“Në shtete të jashtme në klinikat intensive, një infermier e ka një pacient, e këtu ndodhë që dy infermiere kemi 5-6 pacienta”, ka thënë Ramadani.

Shyhrete Grajçevci Selmonaj, kryeinfermiere në Klinikën e Kardiokirurgjisë ka thënë se sfiduese mbetet edhe furnizimi me ilaçe por edhe procesi i diagnostifikimit.

Ndërkohë, redaksia e emisionit “Udhëve” në RTK ka adresuar në Ministri të Shëndetësisë gjitha çështjet e ngritura nga pacientët por edhe stafi mjekësor, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.