Setien, i zemëruar pasi Ibiza kishte qenë duke e mposhtur Barcelonën: S’më pëlqeu skuadra

Trajneri i Barcelonës, Quique Setien, nuk i kurseu kritikat pasi e shikoi skuadrën e tij duke humbur në ndeshjen e së mërkurës kundër Ibizas, para se katalonasit ta përmbysnin rezultatin.

Udhëtimi i Barcelonës në Ibiza rezultoi të mos jetë aspak i lehtë, pasi që klubi i nivelit të tretë të futbollit në Spanjë ishte afër t’ia shkaktojë katalonasve një zhgënjim të madh në përballjen e së mërkurës në Kupën e Mbretit.

Josep Caballe e kaloi Ibizan në epërsi pas vetëm nëntë minutave, epërsi kjo të cilën vendasit e mbajtën në të gjithë pjesën e parë, pasi që Barcelona u duk e paaftë ta konkretizojë posedimin e topit në gola.

Deri në minutën  e 72-të të ndeshjes, Barcelona kishte qenë në deficit për një gol. Mirëpo, Antoine Griezmann e barazoi rezultatin në minutën e 72-të dhe pastaj e shënoi edhe golin e fitores në minutën 90’+4.

Përkundër që skuadra e tij shënoi fitore në fund, trajneri i ri i Barcelona s’ishte aspak i impresionuar nga ajo që e pa nga skuadra e tij.

“Nuk më pëlqeu skuadra. Do të kisha preferuar që gjërat të kishin qenë në një mënyrë tjetër”, tha Setien për gazetarët, pas ndeshjes.

“Por, në stadiumet si ky… e kemi më të vështirë ta bëjmë punën tonë. Ata ishin agresiv dhe intensiv në repartin e mbrojtjes. Kjo nuk ka qenë e lehtë për ne”.

“Do të më kishte pëlqyer të jemi më preciz dhe të kishim luajtur më mirë. Por, ne do t’i marrim nga këto disa përfundime apo mësime për të ardhmen”.

“Ti mund të përmirësohesh vetëm kur bën diçka gabim”.

Pa Luis Suarezin e lënduar dhe Lionel Messit që iu dha pushim për këtë ndeshje, Setien vendosi t’ia japë mundësinë Ansu Fatit për ta dëshmuar veten si qendërsulmues. Megjithatë, ylli i ri s’pati shumë mundësi, pasi që Barcelona i bëri vetëm tri goditje drejt portës në 90 minutat e lojës.