Ushtria

Serwer: Ushtria e Kosovës ishte hap i domosdoshëm, mund të ishte bërë edhe më herët

Ish-diplomati amerikan dhe profesori i Universitetit të Washingtonit ‘John Hopkins’, Daniel Serwer, ka thënë se krijimi i Ushtrisë së Kosovës ka qenë një hap shumë i nevojshëm për t’u bërë.

Madje sipas tij, Ushtria e Kosovës do të mund të krijohej shumë më herët pasi nuk paraqet kërcënim për askënd.

“Askush nuk do të duhej të mendonte se populli i Kosovës ose shqiptarët do të qëndronin pa ushtri. NATO nuk do të jetë përgjithmonë aty. Ky është një hap i domosdoshëm që mund të ishte bërë edhe më herët, pasi edhe vet Thaçi ka deklaruar se i vjen keq që nuk është bërë pesë vite më parë”, ka thënë Serwer për televizionin N1.

Teksa ka folur për situatën e sigurisë në Ballkan, Serwer thotë se nuk mendon se gjendja është sikurse në vitet e 90-ta, megjithatë thotë se ka një rrezik për de stabilizim dhe konflikte të vogla.

Ai ka folur edhe për dialogun e bllokuar prej muajsh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke potencuar se një stagnim i tillë vjen si pasojë e dështimit të idesë për shkëmbim të territoreve.

“Ideja e shkëmbimit të territorit ishte e keqe, dhe shpresoj se këtë tani të gjithë e kanë kuptuar. Ata mund të kthehen në dialog pa këtë ide në tavolinë”, ka thënë ndër të tjera Daniel Serwer.