Propozimi

Serwer: Për largimin e UNMIK-ut nga Kosova do të duhej rezolutë e re e KS të OKB-së

Tërheqja e UNMIK-ut nga Kosova pa marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me siguri do të kërkonte rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Miratimi i rezolutës së re do të varej nga Rusia, thotë Daniel Serwer, profesor i universitetit “John Hopkins” në Uashington dhe ekspert për Ballkanin.

Pardje është publikuar letra e ish ambasadorës amerikane në OKB, Nikki Hayli e cila ka kërkuar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së përmbylljen e mandatit të UNMIK-ut, raporton Ballkani.info.

Beogradi zyrtar ka paralajmëruar se do ta kundërshtojë këtë inciativë, ndërsa në Kosovë është pritur pozitivisht.

“Misioni në Kosovë është i pazakontë, sepse atje është pa fuqi ushtarake, ajo është nën përgjegjësinë e KFOR-it. Unë nuk e di as sa njerëz janë në misionin e OKB-së në Kosovë, por nuk besoj se ka numër të madh. Megjithatë, SHBA-të, në parim, po tentojnë që ta zvogëlojnë këtë mision sa të munden. A është e mundur që UNMIK-u të largohet nga Kosova pa marrëveshje përfundimtare për status – mendoj se po, por kjo sigurisht do të kërkonte një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe natyrisht se Rusia do ta kontrollonte që ajo të kalojë ose jo. Mendoj se amerikanët do të tentojnë që ta zvogëlojnë numrin e personelit dhe buxhetin e OKB-së”, ka thënë Serwer. /Ballkani.info/