Rusia

Sërish raportohet shifër rekorde e rasteve të reja me koronavirus në Rusi

Autoritetet ruse njoftuan për numrin më të lartë të të infektuarve me koronavirus për periudhën njëditore që nga fillimi i përhapjes së sëmundjes në shtetin më të madh në botë.

Gjatë 24 orëve të kaluara, në Rusi u shënuan hiç më pak se 11,656 raste të reja të infektimeve, shkruan “Reuters”.

Autoritetet thanë se rritja e numrit të rasteve ka ardhur si pasojë e zbatimit të programit për testim masiv të popullsisë.

Përpos të infektuarve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 94 viktima të reja dhe numri i përgjithshëm i të vdekurve shkoi në 2,009.

Pavarësisht shifrave të reja, Rusia ende bën pjesë në grupin e vendeve me shkallë të ulët vdekshmërisë.

Shumica e rasteve të infektimeve dhe vdekjeve janë shënuar në kryeqytetin rus, Moskë, ku spitalet po përballen me numër të madh të pacientëve dhe mungesë të shtretërve.