Sërish hudhet poshtë aktakuza për korrupsion ndaj Liburn Aliut dhe të tjerëve

Gjykata Themelore në Prishtinë sërish ka aprovuar kërkesat për hudhje të aktakuzës për korrupsion ndaj ministrit aktual të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe të akuzuarve të tjerë, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi. Vendimin për hudhjen e aktakuzës e ka marrë kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi.

Lajmi për “Betimi për Drejtësi” është bërë i ditur nga mbrojtësi i të akuzuarës Berisha-Prestreshi, avokati Florin Vërtopi.

“Po e kam pranu vendimin, pas kthimit në rivendosje nga Gjykata e Apelit, Gjykata Themelore në Prishtinë sërish ka aprovuar kërkesat e mbrojtësve të të akuzuarve, dhe ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj tyre” tha avokati Vërtopi.

Në qershor të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte aprovuar kërkesat për hudhje të aktakuzës për korrupsion ndaj ministrit Aliu dhe pesë të akuzuarve të tjerë, mirëpo një vendim i tillë ishte anuluar nga Gjykata e Apelit dhe rasti ishte kthyer në rivendosje.