Është mision që nuk dihet më se për çfarë shërben. Koha e saj ka perënduar që moti. Kosova ka institucionet e veta, por, UNMIK-u, megjithatë, vazhdon të operojë ende në Kosovë. Madje, shefja e këtij misioni Caroline Ziadeh, të hënën (nesër) pritet në Qeverinë e Serbisë nga Ana Brnabiq në ora 10:00 të mëngjesit, njoftuan nga kabineti i kësaj të fundës.

Serbia insiston në ekzistencën e misionit të UNMIK-ut në Kosovë ngase mirëmban ende iluzionin për validitetin e Rezolutës 12/44 në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, organ ky në të cilin UNMIK-u raporton çdo gjashtë muaj mbi gjendjen dhe “të gjeturat” e tyte në vend. Këto takime/mbledhje Serbia insiston të jenë çdo gjashtë muaj dhe i fundit ishte më 18 tetor ku morri pjesë Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.

Muajin e kaluar Zijade u prit në Shtërpcë nga Kryetari Dalibor Jevtiq, ku shefja e UNMIK-ut thotë t’i ketë shprehur mbështetjen “për marrëdhëniet ndëretnike” derisa edhe e siguroi “për përpjekjet e qëndrueshme të UNMIK-ut për të ndërtuar mirëbesim ndaj të gjitha komuniteteve”.

Ka ndarje të thella midis Anëtarëve të Përhershëm të KS OKB-së ndaj UNMIK-ut. Në mesin e pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Franca, Britania e Madhe dhe SHBA-ja e njohin pavarësinë e Kosovës dhe mbështesin qeverinë kosovare; Kina dhe Rusia nuk e njohin pavarësinë dhe mbështesin fuqishëm pozicionin e Serbisë dhe pretendimin e saj për “integritet territorial”. Shtatë anëtarë të zgjedhur (Shqipëria, Gaboni, Gana, Japonia, Malta, Zvicra dhe Emiratet e Bashkuara Arabe) e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa tre (Brazili, Ekuadori dhe Mozambiku) jo.

Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë bërë kaherë thirrje për përfundimin e mandatit të UNMIK-ut në Kosovë, duke e vlerësuar madje edhe për “shpenzim kot parash”.

Ambasadori amerikan Jeffrey DeLaurentis shprehej se UNMIK-u nuk pati kurrëfar roli në zgjidhjen e konfliktit të fundit midis Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave. Përkundrazi, atij roli u shërbeu më mirë KFOR-i i udhëhequra nga NATO.

DeLaurentis argumentoi se UNMIK-u e ka përmbushur qëllimin e tij dhe misioni duhet të mbyllet, në mënyrë që burimet e tij të ridrejtohen atje ku janë më të nevojshme.

UNMIK-u vazhdon të pretendojë të përfaqësojë Kosovën në forume rajonale dhe marrëveshje tregtare. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i pati bërë jehonë qëndrimit të ShBA-së, duke thënë se UNMIK-u u krijua “në rrethana jashtëzakonisht të ndryshme” dhe se situata aktuale e Kosovës ofron “prova të mjaftueshme” se UNMIK-u e ka tejkaluar mandatin e tij.

Kujtojmë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka qenë kundërshtues kategorik i UNMIK-ut, mision të cilin e vlerësonte edhe për “neo-kolonalizëm” në Kosovë, kishte pritur ish-shefin e UNMIK-ut në zyrën e tij në tetor të vitit të kaluar, në prag të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.]

Kurti madje këtij të fundit i shprehte edhe shqetësimin rritje me pluralizmin dhe demokracinë në komunat të banuara me shumicë serbe.

“Duke qenë në prag të zgjedhjeve lokale, është e rëndësishme që të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike, ku secili qytetar i Republikës voton mbi bazën e bindjeve personale dhe nuk i nënshtrohet presionit dhe frikësimit dhe se kur raste të tilla janë prezentë ato duhet të monitorohen dhe raportohen”, pati deklaruar ai në tetor, shkruan Nacionale.

“Kryeministri Kurti ka theksuar domosdoshmërinë për të dënuar përpjekjet e strukturave kriminale dhe sulmet që u bënë në qendrat e regjistrimit në Zubin Potok dhe Zveçan”, njoftonte atë kohë Zyra e Kryeministrit.