Serbia tregon forcën ushtarake të vendosur në afërsi të Kosovës

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, ka kaluar Krishtlindjet ortodokse me pjesëtarët e Forcave të Armatosura Serbe në bazën e Trmkos, që ndodhet në vijën administrative me Kosovën.

Në njoftimin e lëshuar nga Ministria Serbe e Mbrojtjes thuhet se Vulin  para ushtarëve serbë foli ndër të tjera edhe për zhvillimet e fundit në Mal të Zi dhe nga aty u shpreh se  sot mendojnë për serbët kudo që janë, e në veçanti për ata që ndodhen në Kosovë.

“Sido që i trajtojnë serbët, ata trajtojnë edhe Serbinë. Sido që të trajtojnë alfabetin tonë cirilik dhe kishën tonë, kështu do të veprojnë ata me secilin nga ne. Shteti i Serbisë dërgon një mesazh paqeje në këto ditë festive, dëshiron paqë, unitet, por mbi të gjitha dëshiron që të gjithë serbët, pa marrë parasysh se ku ata jetojnë, të jenë të sigurt, të qetë, të mbrojtur dhe të mos jenë i vetmi popull në Evropë, dhe u vetmi popull në botë që lufton për të drejtën e tij për të folur gjuhën e tij, të shkruajë në gjuhën e tij dhe të lutet në kishat e tij”, tha Vulin.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme shumë qytetarë në Gjakovë janë mbledhur para Kishës Ortodokse në këtë qytet për të protestuar kundër vizitës së pelegrinëve serbë, të cilët më pas u njoftua se nuk do të vijnë.

Qytetarët e Gjakovës çdo vit protestojnë më 6 janar kundër vizitës së pelegrinëve serbë në manastirin e Gjakovës, si traditë festive e tyre, duke e parë më shumë si provokim e vrasje të dyfishtë për më të dashurit e tyre./Ballkani.info/