Ministria e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme e Serbisë ka refuzuar t’i ofrojë Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese – BIRN të dhënat për shitjen e municioneve të prodhuara në fabrikën Belom në Serbi në vitin 2022, e të cilat ishin përdorur për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
“Dorëzimi i të dhënave të kërkuara do ta vështirësonte arritjen e interesave të justifikuara ekonomike të Republikës së Serbisë dhe menaxhimin e proceseve ekonomike në vend. Është edhe nënsistem i sistemit të sigurisë kombëtare, arsye për të cilat dorëzimi i të dhënave të kërkuara do të kërcënonte sigurinë dhe interesat publike të Republikës së Serbisë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Hulumtimi i BIRN për armët nga Banjë, bazuar në analizën e fotografive dhe videove të armëve të publikuara nga Policia e Kosovës, si dhe në intervistat me ekspertë të armëve – tregoi se disa nga armët e sekuestruara të cilat ishin përdorur nga grupi i udhëhequr nga krimineli Milan Radojeçiç, kishin kaluar në sistemin shtetëror serb.
Po ashtu, pozicioni i shenjave në plumbat e gjetur në Veri të Kosovës përputhet me pozicionin e shenjave në plumbat e të njëjtit kalibër, fotografitë e të cilave janë publikuar në faqen zyrtare të fabrikës Belom.
Hulumtimi për armët e gjetura në Banje zbuloi gjithashtu se disa nga armët të cilat janë konfiskuar nga Policia e Kosovës, ishin riparuar në vitin 2018 dhe 2021 në Serbi.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se armët dhe pajisjet e përdorura gjatë sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, janë të prodhuara nga prodhuesit shtetërorë serb të armëve ushtarake.
“Ideja se mjetet e blinduara ushtarake dhe një arsenal i madh i prodhuar nga shteti serb hynë në Kosovë, të gjitha pa përfshirjen e qeverisë serbe, thjeshtë nuk është e besueshme”, kishte thënë Kurti.
Ai në disa fotografi të publikuara pati theksuar se anti-tanku i përdorur nga grupi terrorist është prodhim serb, i prodhuar në fabrikën shtetërore “Sloboda” në Serbi.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.
Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiq – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiq – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.
Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.
Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.







