Serbia shton praninë në tregun e Kosovës, 34 milionë euro i importuam nga shteti armik për një muaj

Produktet e Serbisë në Kosovë nuk janë duke u pakësuar. Në fakt, prania e tyre vetëm po rritet në tregun tonë. Dallimi mes muajit qershor të vitit të kaluar dhe qershorit të këtij viti është i madh me miliona euro.

Sa herë që dalin statistikat e importit dhe eksportit të mallrave mes Kosovës dhe shteteve të tjera të botës, pyetja e parë që na bie në mend është: a ka shumë importe nga Serbia?

Dhe çuditërisht, çdo herë përgjigja është PO. Kështu ndodhi edhe në muajin qershor të këtij viti, ku Kosova e rriti edhe më shumë importin nga Serbia.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka treguar se gjatë muajit qershor të këtij viti, importi i mallrave me Serbinë ishte 33 milionë e 757 euro. Sipas këtyre shifrave, i bie se rritja është e madhe krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, shkruan Demokracia.com.

Shifrat janë goxha keq për eksportin që ka pas Kosova gjatë muajit qershor.

“Importi gjatë vitit 2021 me Serbinë për muajin qershor ishte 25.358 milionë euro. Importi gjatë vitit 2022 me Serbinë për muajin qershor ishte 33.757 milionë euro. Eksporti gjatë vitit 2021 me Serbinë për muajin qershor ishte 4.372 milionë euro. Eksporti gjatë vitit 2022 me Serbinë për muajin qershor ishte 4.369 milionë euro”, thuhet në raportin e ASK-së.

Agjencia e Statistikave ka treguar se importet nga vendet e CEFTA-s në muajin qershor arritën në 92.8 milionë euro ose 18.8 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 17.7 për qind.

“Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Serbia (6.8 për qind), Maqedonia e Veriut (5.3 për qind) dhe Shqipëria (5 për qind)”.

E deficiti tregtar në muajin qershor është rritur për 30.5 për qind krahasuar me vitin e kaluar, pasi është rritur edhe importi.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar në vlerë prej 418.1 milionë eurosh krahasuar me deficitin prej 320.4 milionë eurosh në vitin 2021.

Sipas ASK-së, eksporti i mallrave në muajin qershor kishte vlerën 74.6 milionë euro, ndërsa importi 492.8 milionë euro, që është një rritje prej 2.4 për qind për eksport dhe 25.3 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.4 për qind të importeve e përbëjnë produktet minerale; 12.8 për qind të importeve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.4 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.3 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 7.5 për qind mjetet e transportit; 7.4 për qind plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 6.8 për qind të importeve e përbëjnë produktet e industrisë kimike e të tjera”, thuhet në njoftimin e ASK-së, përcjell Demokracia.com.

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 207.4 milionë euro ose 42.1 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia (15.1 për qind) dhe Kina (9.7 për qind).

Mes tjerash, ASK-ja bën të ditur se eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian arritën në 24 milionë euro, ndërsa importet nga 27 vendet anëtare të bllokut arritën në 192,4 milionë euro.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (27) arritën në 24 milionë euro ose rreth 32.2 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 2.4 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (9.0 për qind), Italia (5.3 për qind), Holanda (3.6 për qind)”.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 192.4 milionë euro ose 39 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13 për qind. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga Gjermania (10.7 për qind), Greqia (5.7 për qind), Italia (4.3 për qind).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 22.3 milionë euro ose 29.9 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden ShBA (13.8 për qind) dhe Zvicra (7.7 për qind)./Demokracia.com/