Serbia shkon edhe një hap tutje, fillon presionin ndaj policëve të komunitetit boshnjak që ta braktisin Policinë e Kosovës

Serbia vazhdon me ndërhyrje flagrante në rregullimin kushtetues dhe institucional të Kosovës, duke nxitur serbët që të largohen nga institucionet për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të qortuar të gjithë ata që ende posedojnë targa ilegale të veturave.

Pasi sfidoi sot shtetin e Kosovës përmes Listës Serbe duke i detyruar 12 eprorë të Policisë së Kosovës që të dorëzojnë uniformat, Beogradi zyrtarë po shkon edhe një hap tutje.

Burime mirë të informuara nga veriu i Kosovës kanë bërë të ditur se Serbia sonte ka filluar t’ju bëjë presion dhe t’i shtyjë që të deklarohen rreth daljes nga Policia e Kosovës edhe pjesëtarët e komunitetit boshnjak që punojnë në pjesën veriore dhe në njësitë kufitare.

Qëllimi tashmë është i qartë, Serbia dëshiron më çdo kusht që veriun ta shndërroj në oazë ku nuk sundojnë ligjet e Kosovës dhe të detyrojë në një far formë vendosjen e kësaj pjese të Republikës së Kosovës në tavolinën e bisedimeve.

Deri më tash nuk kemi pasur ndonjë reagim të prerë të bashkësisë ndërkombëtare për qëllimin e hapur të Vuçiqit dhe veglave të tij, siç është Lista Serbe, për ndërhyrjen flagrante në sovranitetin dhe integritetin e Kosovës. /Ballkani.info/