Serbia propagandë për Aeroportin “Adem Jashari”

Aviacioni Civil i Serbisë po përdor propagandë të vazhdueshme përmes së cilës po mundohet që të dëmtojë punën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Ata po shpërndajnë mesazhe të rreme drejt operatorëve ajror, përmes të cilave u thuhet se Aeroporti i Prishtinës është i mbyllur dhe nuk jepen leje për operime të trafikut ajror dhe civil. Mesazhe të tilla janë dërguar edhe gjatë ditës së sotme.

Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress edhe menaxheri për planifikim të fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës”, Adem Jashari”, Driton Hyseni.

Hyseni tha se pas marrjes së këtij informacioni kanë reaguar menjëherë duke e informuar operatorin se aeroporti “Adem Jashari” pret dhe përcjell fluturime pa asnjë problem.

Ai ka deklaruar se propaganda e autoriteteve serbe për punën e Aeroportit të Prishtinës është e vazhdueshme, por që ka kërkuar nga operatorët që të injorojnë çdo informatë që vjen nga autoritetet serbe.

Për këtë lloj propagande nga Aviacioni Civil i Serbisë Hyseni thotë se janë të informuara të gjithë operatorët e përditshëm të aeroportit” Adem Jashari”, por në lajthitje sipas tij mund të bien operatorët që dëshirojnë të operojnë për herë të parë./KosovaPress/