Shumë reagime

Serbia po “vlon” pas shndërrimit të FSK-së në Ushtri

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin, tha sot e ‘ashtuquajtura Ushtri e Kosovës është një ushtri që po krijohet për të kërcënuar Serbinë’.

“Përderisa të jetë në fuqi Rezoluta 1244, në Kosovë nuk mund të ketë forca të tjera të armatosura përveç KFOR-it. Ushtria e Kosovës ku nuk ka serbë dhe kundër të cilës janë serbët dhe Serbia, është një ushtri e krijuar për të kërcënuar Serbinë dhe serbët”, tha Vulin.

Kuvendi i Kosovës sot miratoi tre propozimet për transformimin e FSK-së në ushtri, ndërkohë që deputetët e Listës Serbe bojkotuan seancën.

Më herët ka reaguar edhe shefi i të ashtuquajtures zyre për Kosovë, Marko Gjuriq, i cili ka folur me të njëjtën gjuhë.

E rëndësishme është se edhe NATO, para pak çastesh ka thënë se për Ushtrinë e Kosovës vendosin autoritetet e shtetit. /Ballkani.info/