Serbia po arreston serbë nga Kosova: MPJ kërkon llogari, BE-ja s’po deklarohet

Për arrestimin e katër serbëve nga Kosova, me të hyrë në Serbi gjatë muajit prill të këtij viti, të akuzuar nga Serbia se kinse kanë “shpërndarë material propagandistik, në të cilin promovohet Pavarësinë e Kosovës”, nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, thonë se nuk kanë marrë asnjë informatë nga autoritet serbe.

Sipas MPJ, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, me të kuptuar rastin nga burimet mediale, ka komunikuar direkt me Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, ku ka kërkuar zyrtarisht konfirmimin e arrestimit dhe detajet e tjera relevante të rastit.

“Duke mos treguar bashkëpunim, për të cilin edhe obligohemi me marrëveshje mes dy shteteve tona, Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë, përkundër insistimit tonë të vazhdueshëm, deri sot nuk ka kthyer asnjë përgjigje”, thanë nga MPJ-ja për AP.

Prandaj MPJ-ja për këtë çështje tashmë ka njoftuar Bashkimin Evropian dhe misionet diplomatike në Beograd dhe shpreson që “të vihen në lëvizje sa më parë”.

“Për arrestimin dhe vazhdimin e paraburgimit për Nikoliç-in dhe tre shtetasve tjerë të Republikës së Kosovës, Zyra Ndërlidhëse i ka njoftuar dy herë përmes kanaleve zyrtare Delegacionin e BE-së dhe misionet diplomatike të akredituara në Serbi”, thuhet në përgjigje.

Mos komunikimi i Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë me atë të Kosovës në Serbi, sipas MPJ-së “paraqet një shkelje flagrante të marrëveshjes së Brukselit dhe si e tillë duhet sanksionuar pa vonesë”.

Ndryshe, më 16 prill, Dragan Nikoliç-it, ish-polic i Kosovës nga Leposaviqi dhe tre serbëve të tjerë shtetas të Kosovës iu është vazhduar paraburgimi prej 30 ditësh nga autoritet serbe.

Ata po akuzohen nga prokuroria serbe për punë “kundër rendit kushtetues të Serbisë” dhe “kërkim për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues të Serbisë”.

Avokati serb: Regjimi në Beograd po i akuzon serbët që nuk mbështesin Vuçiç-in dhe Listën Serbe për “veprimtari antikushtetuese”

Pas prangosjes së katër serbëve, kishte reaguar edhe avokati Ivan Niniç, i cili mbron Dragan Nikoliç-in, ish-polic i Kosovës.

Ai kishte theksuar se regjimi në Serbi dhe shërbimet e sigurisë po vazhdojnë të persekutojnë serbët që nuk mbështesin presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Listën Serbe dhe kriminelin Milan Radojiçiç.

“Dragani është regjistruar në vendkalimin Jarinje me letërnjoftim të Kosovës, shofer dhe patentë trafiku pa asnjë problem. Pas kthimit nga Kragujevaci, rreth orës 20:25, në të njëjtin vendkalim në Jarinje, atij i është kërkuar letërnjoftimi serb, të cilin fizikisht nuk e kishte me vete”.

“‘Jeni shqiptar?’ e pyetën në Jarinjë, me komentin: ‘Tani do të vijë shefi ynë t’ju ​​sjellë letërnjoftimin serb. Pas kësaj, Dragani dhe gruaja e tij u ndaluan deri në orën 23:20, kur u shfaqën policët me rroba civile dhe i kanë vënë prangat dhe nuk i treguan letërnjoftimet”.

Madje sipas tij, arrestimi i Dragan Nikoliç-it është një akt hakmarrjeje nga Beogradi, sepse bashkëshortja e tij Ivana pranoi kandidaturën për këshilltare në zgjedhjet komunale në listën zgjedhore të Partisë së Serbëve të Kosovës në komunën e Leposaviqit.