Serbia “në këmbë” pas miratimit të platformës për dialog nga Kosova

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka theksuar se me miratimin e platformës për dialog me Serbinë në Parlamentin e Kosovës, “Prishtina definitivisht tregoi se nuk dëshiron dialog”.

“Miratimi i platformës, në të cilën nder tjerash thuhet se përfundimi i vetëm i dialogut me Beogradin duhet të jetë pranimi i të ashtuquajturës pavarësi e Kosovës, në të cilën thuhet se zgjidhja e vetme mund të jetë definimi i asaj që tashmë ekziston me Kushtetutën e Kosovës, duke mos trajtuar me asnjë fjalë të drejtat dhe pozitën e serbëve dhe joshqiptarëve të tjerë në Kosovë, pastaj definimi i obligimeve që Serbisë t’i faturohen dëmet e luftës, pagesa e dëmit të luftës…”, ka thënë Gjuriq.

Ai ka shtuar se në këtë mënyrë “Prishtina qartë po i dërgon mesazh tërë botës se për të dialogu ka marrë fund”, transmeton Ballkani.info.

“Së pari me moszbatimin e vendimit për Asociacionit, më pas me taksën anticivilizuese, kurse me këtë të fundit, ata (Kosova) dërgojnë mesazh të qartë se për ta ky është fundi i dialogut. Presidenti Vuçiq muaj më herët ka thënë se nëse miratohet kjo platformë kjo do të thotë mbyllje e plotë e dialogut, përfundim. Tash kur kjo platformë është kundër paqes, dialogut dhe të ardhmes, dhe e cila është miratuar, përgjigjja e vetme e atyre njerëzve është heshtja”, ka thënë Gjuriq.

Sipas tij, Serbia do të dijë që në mënyrë të drejt të përgjigjet ndaj sfidave që janë vënë para saj.

“Serbia do të dijë se si t’i mbroj interesat e veta. E pamë që shqiptarët definitivisht nuk dëshirojnë dialog”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thirrur për nesër në mëngjes, në orën 8:30 mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, lidhur me “situatën e krijuar” pas miratimit në Kuvendin e Kosovës të Platformës për bisedime me Serbinë.

Televizioni serb TV Prva, i cili publikoi lajmin, cek se “analistët serbë miratimin e platformës e komentojnë si shpallje joformale të luftës” nga ana e Kosovës.

Vuçiq para kësaj do të takohet me nënsekretarin për çështje politike të SHBA-ve, David Hale, njoftoi televizioni. /Ballkani.info/