Aleksandar Vuçiq deklaroi sot se Serbia është seriozisht e kërcënuar nga krijimi i një aleance ushtarake mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë dhe shprehu shqetësim për atë që e quajti heshtje globale mbi këtë çështje.
“Krijimi i një aleance ushtarake mes Kroacisë, Prishtinës dhe Tiranës na rrezikon seriozisht dhe do të merremi me këtë problem. Kjo është një çështje që duhet ta marrim seriozisht”, tha ai për gazetarët në Mynih, ku merr pjesë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut.
Presidenti i Serbisë njoftoi se së shpejti do të marrë pjesë në një mbledhje të Kolegjit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe do të vizitojë fabrikat e industrisë së qëllimeve speciale. Ai gjithashtu tha se do të investohen burime shtesë të konsiderueshme në prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të vendit, raporton index.hr.
“Do të duhet të eksportojmë armë për të fituar të ardhura, por do të rrisim pjesën e prodhimit që shkon direkt tek ushtria, gjë që deri tani nuk ka ndodhur. Deri në 30, ndoshta edhe 40 për qind të prodhimit tonë tani do të shkojë direkt tek Ushtria e Serbisë”, theksoi ai







