Serbia: Kosova do të pësojë debakël në Interpol, Kosova: Shihemi në Dubai!

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq deklaroi sot se është pothuajse e sigurt se Kosova nuk do të jetë në gjendje të bëhet anëtare e Interpolit, pavarësisht nga presionet e larta dhe shtoi se “do të pësojnë debakël”.

“Presionet janë shumë të forta dhe me mbështetjen e madhe e vendeve perëndimore dhe islamike”, ka thënë ai për Tanjug.

Ai theksoi se Kosova, në mënyrë që të marrë vota në Interpol, ka ndarë fonde për lobim, por sipas tij kjo është “pushkë e zbrazët” dhe se në vetë votim do të shihet se sa do të marrë mbështetje.

“Ata më mirë të mos aplikojnë as për anëtarësim, pasi ky do të jetë debakël për ta”, tha Daçiq.

E në anën tjetër, në Ministrinë e Jashtme të Kosovës në disa raste kanë thënë se Kosova tashmë i ka siguruar votat dhe se votimi më 21 nëntor në Dubai do ta tregojë këtë. /Ballkani.info/