Serbia kërcënon Kosovën me ushtri, Haradinaj: Si president do ta forcojë Ushtrinë e Kosovës

Kandidati për president, Ramush Haradinaj, është duke e “frikësuar” klasën politike serbe, fillimisht me deklaratën për bashkimin me Shqipërinë, ndërsa tani edhe me deklarata për forcimin e  Ushtrisë së Kosovës

Deklaratat e vazhdueshme të kandidatit për president, Ramush Haradinaj për bashkimin Kosovë- Shqipëri i ka frikësuar serbët, duke reaguar e tërë klasa politike, madje presidenti serb Aleksandër Vuçiq e ka quajtur si person të rrezikshëm dhe deklaratën e tij kërcënim për të gjithë.

Siç duket, tani Haradinaj si president në ardhje ka filluar ta frikësojë edhe ministrin serb të mbrojtjes pas deklaratave për forcimin e Ushtrisë së Kosovës, shkruan Ballkani.info.

Nebojsha Stefanoviq, ministri serb i Mbrojtjes ka thënë se duhet kushtuar vëmendje e veçantë situatës aktuale në Kosovë, që sipas tij, është më komplekse.

Sipas tij, “situata në Kosovë po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar” dhe se “ka situata të reja”.

Stefanoviq theksoi se nevojat dhe investimet në forcat e sigurisë – ushtri, polici dhe shërbimin sekret – u diskutuan gjithashtu.

“Ne kemi analizuar se çfarë duhet të bëhet në periudhën e ardhshme, cilat janë investimet që duam të bëjmë këtë dhe vitin e ardhshëm në prokurimin e armëve moderne, të cilat do të mundësojnë që ushtria dhe policia të jenë të pajisura mirë, më të fortë dhe të aftë për t’u përballur sfida të reja”, tha Stefanoviq, transmeton Ballkani.info.

Këso deklarata të Serbisë ka pasur që kur është formuar Ushtria e Kosovës, gjatë qeverisjes së kryeministrit të atëhershëm, Ramush Haradinaj.

Kujtojmë, që përkundër presionit të vazhdueshëm të Serbisë që Kosova të mos ketë Ushtrinë e saj, Haradinaj ka qëndruar stoik duke e çuar deri në fund premtimin e tij që FSK të shndërrohet në ushtri.

Kandidati për president nga AAK, Ramush Haradinaj, edhe tani vazhdon të ketë qëllime për Ushtrinë e Kosovës, qëllime këto që nuk përmenden nga liderët e partive tjera.

Haradinaj thotë se synon që ta forcojë ushtrinë e policinë në mënyrë që Kosovë të jetë një vend më i sigurt.

“Kosovën do ta bëjmë një vend të sigurt duke forcuar rendin, ligjin, policinë dhe ushtrinë. Nuk mund të kemi një ekonomi të fortë, me ushtri të dobët dhe me kokë të ulur para Serbisë”, ka thënë Haradinaj.

Po ashtu, Ramush Haradinaj tha se Kosova vetëm si anëtare e NATO-s ka shpresë për përmirësimin e ekonomisë./Ballkani.info./