Serbia, fushatë të ashpër kundër Kosovës (VIDEO)

Fushatë të ashpër diplomatike kundër Kosovës bëri, të premten, në Torino të Italisë, Nikola Selakoviq.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë krejt ata që i takoi i luti që të mos votojnë pro hyrjes së Kosovës në Këshillin e Evropës dhe u gëzua që aplikimi i kësaj të fundit për anëtarësim në KiE nuk ishte në agjendë të Komitetit të Ministrave.

Serbia është anëtare e KiE-së dhe Selakoviq kryesisht loboi te homologët e atyre vendeve që nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës.

“Nuk është në mandatin e Serbisë, sepse s’ka fuqi dhe influencë dhe jo sidomos tani kur Rusia nuk është më shtet anëtar. Serbia nuk ka të drejtë të vetos, sikurse nuk ka asnjë shtet anëtar”, thotë Mimoza Ahmetaj.

Ish-konsullja e Kosovës në Strasburg, ku e ka selinë Këshilli i Evropës, thotë se tani lobimi i Kosovës duhet të bëhet më intensiv.

“Është me rëndësi të punohet me Gjermaninë, Francën si shtet, i cili është edhe nikoqir i Këshillit të Evropës dhe me shumë rëndësi, Italinë, Spanjën dhe të gjitha shtetet veç e veç”.

Nga 46 vende anëtare të Këshillit të Evropës, 11 prej tyre nuk e pranojnë Pavarësinë e Kosovës.