Serbia e pranon, sivjet Kosova me gjasa të mëdha për t’u anëtarësuar në Interpol

Gjatë ditës së sotme, Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka komentuar procesin e mbledhjes së Interpolit, ku do të votohet edhe pranimi i Kosovës në këtë mekanizëm të rëndësishëm ndërkombëtar.

Mbledhja do të mbahet në Emiratet e Bashkuara të Arabisë, në muajin nëntor.

Ministri serb tha se situata është ndryshe nga viti i kaluar, kur mbledhja e Interpolit është mbajtur në Kinë, dhe pasi Kina refuzoi pjesëmarrjen e Kosovës në mbledhje, Kosova tërhoqi aplikimin e saj për t’u bërë anëtare.

“Por këtë vit gjërat po shkojnë ndryshe, pas zhdukjes së Presidentit të Interpolit, në vendin e tij ka ardhur një president tjetër, nga një vend që e njeh Kosovën si shtet”, tha Stefanoviq, transmeton Ballkani.info.

Gjithashtu ministri serb theksoi se është duke u bërë ‘luftë’ e madhe mes shteteve që kanë njohur Kosovën dhe atyre që nuk e njohin Kosovën si shtet.

“Lufta më e madhe është duke ndodhur nga shtetet që tashmë e njohin Kosovën si shtet të pavarur, pasi që ato po bëjnë çmos që t’i ftojnë edhe shtetet tjera të votojnë pro anëtarësimit të Kosovës në Interpol, duke iu ofruar kështu pagesën e të gjitha shpenzimeve”, ka thënë më tutje Stefanoviq.