Pas taksës 100%

Serbia dhe Bosnje e Hercegovina me sulme masive kibernetike në sistemin shtetëror të Kosovës

Prej fundjavës së kaluar dhe deri më sot, institucionet e Kosovës kanë pasuar sulme të vazhdueshme kibernetike.

Dje është sulmuar edhe faqja elektronike e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), kurse sot këto sulme që po vazhdojnë ende kanë qenë shumë më masive, raporton Ballkani.info.

Këto sulme, siç mëson Ballkani.info nga burime brenda Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, janë shumë të organizuara dhe vijnë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, por kohë pas kohe edhe nga Maqedonia.

“Cak i këtyre sulmeve janë komunikimet e postës elektronike të zyrtareve të institucioneve të Kosovës, kryesisht në ato të zyrtareve diplomatikë dhe padyshim se vijnë si luftë speciale për shkak të taksës 100 për qind që u është vendosur”, ka thënë një zyrtar i kësaj agjencie për Ballkani.info, duke shtuar se po mundohen që të pamundësojnë komunikimin përmes postes elektronike zyrtare.

Ballkani.info ka folur edhe me Kujtim Gashin, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, i cili ka konfirmuar se ka tendencë të sulmeve kibernetike me bazë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

“Informacionet ende nuk i kemi të detajuara dhe nuk mundemi ta konfirmojmë motivin. Por, këto sulme janë të menaxhueshme. Janë disa përpjekje për t’i atakuar disa adresa, por s’mundemi ta konfirmojmë nivelin e sulmit. Kemi informacione se IP-të vijnë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, në bazë të hulumtimeve dhe gjurmimeve që kemi bërë dhe është identifikuar edhe origjina prej nga janë drejtuar sulmet. Pasojat nuk janë të mëdha dhe i kemi menaxhuar me sukses. Nuk është diçka për shqetësim apo panik. Thjeshtë janë përpjekje dhe tendenca për ta vështirësuar komunikimin”, ka thënë Gashi për Ballkani.info.

Për këto sulme mësohet se është në dijeni edhe Departamenti për Krime Kibernetike në Policinë e Kosovës. /Ballkani.info/