Serbia vazhdon ta ushqejë propagandën kundër Kosovës dhe ta rris sentimentin nacionalist të atyre serbëve që kanë filluar ta kuptojnë ndryshe realitetin që u prezanton regjimi atje.

Për mirëmbajtur linjën e nacionalizmit serb përmes propagandës kulturore dhe mediale, Qendra e Filmit të Serbisë ka vendosur të financojë një dokumentar kushtuar Manastirit të Deçanit.

Kjo qendër e kontrolluar dhe e financuar nga qeveria serbe, ka ndarë rreth 80 mijë euro për realizimin e dokumentarit “Çelësi i Deçanit” të regjisorit Milutin Petroviq.

Dokumentari që pritet të jetë një lloj filmi propagandistik i stilit të deritashëm që Serbia i ka lansuar, e përshkruan Manastirin e Deçanit si Notre Dame e serbëve.

Për të treguar rëndësinë e këtij projekti propagandistik, regjisori Petroviq ka zgjedhur të flas për Sputnik-un serb, dega e Sputnik-ut të Rusisë, media e ndaluar në shumicën e vendeve evropiane për shkak të përçimit të mesazhe të Putinit dhe luftës hibride në këtë pjesë kontinentit tonë.

“Ajo që është Notre Dame për francezët, është Visoki Deçani (Manastiri i Deçanit) për serbët. Visoki Deçani është zemra dhe rrënja e të gjitha gjërave për serbët, dhe pas vizitës atje, asgjë nuk është njësoj, thotë Milutin Petroviq.

“Projekti ‘Çelësi i Deçanit’ i Milutin Petroviqit është mbështetur financiarisht në konkursin e Qendrës së Filmit të Serbisë në kategorinë e bashkëfinancimit të prodhimit të filmave të metrazhit të gjatë vendor me temë kombëtare. Në sqarimin e komisionit thuhet se historia e manastirit të Deçanit në masë të madhe është histori e Serbisë. Lufta për mbijetesën e manastireve është edhe lufta e Serbisë mesjetare dhe moderne. Autori në një mënyrë të mirë e përqendron vëmendjen në dy krizat kryesore të manastirit: atë të shekullit të 18-të si rezultat i shpërnguljes së serbëve dhe atë në kontekstin e luftërave të viteve nëntëdhjetë”, shkruan Sputnik.

Milutin Petroviq, regjisor

Sipas raportimit, duke planifikuar përdorimin e llojeve të ndryshme të materialit dokumentar, synimi i autorit është ta udhëheqë filmin në atë mënyrë që të paraqesë një pamje të historisë dinamike të Kosovës nga disa këndvështrime, përmes historisë së popullit të Deçanit, theksoi komisioni i Qendrës së Filmit të Serbisë.

Regjisori Milutin Petroviq thotë për “Orbita kulture” se ka dashur të bëjë diçka të madhe, “filmi më i mirë i të gjitha kohërave” dhe Deçani janë arsyeja për një gjë të tillë, sepse ata janë vërtet “zemra dhe rrënja e të gjitha gjërave”.

“Kush nuk ka qenë në Deçan mund të mos e dijë, dhe kush ka qenë e kupton se për çfarë bëhet fjalë, sepse Deçani është vendi ku shkon dhe asgjë nuk është si më pas. Dhe nuk është një mistifikim, nuk është diçka e botës tjetër, është fizike. Fjalë për fjalë, ju shkoni atje dhe pyesni veten se çfarë ka ndryshuar tani. Banorët e Deçanit kanë atë që ne i thoshim ‘mbi’, që do të thotë se është diçka që është mbi të gjithë ne. Kur pashë popullin e Deçanit dhe kur e ndjeva, mendova: Zot, këta që e bënë këtë, mbreti i shenjtë Milutin, në fakt më së shumti bëri perandori Dushan dhe më së shumti është dhuratë e tij, ata kishin një depërtim të tillë në estetikë, në stil, në gjëra të thella shpirtërore që lidhen me bukurinë, me harmoninë, me gjëra të tilla që përbëjnë thelbin e njerëzimit, që unë duke menduar se po e bëj këtë dhe se është profesioni im, u ndjeva si koka e fundit e pashkolluar”, tha ai.

Ekipi i filmit “Çelësi i Deçanit” së bashku me Petroviqin si bashkë-skenarist përbëhet nga Sasha Radojeviq, Ana Rodiq dhe Zhivojin Rakoçević nga Graçanica, dhe synimi i tyre është të punojnë me peshkopin e Novobërdës, Ilarion Lupuloviq, dhe abatin e Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq.

Petroviq tregon se Zhivojin Rakoçeviq u thotë të huajve në bisedë se ajo që është Notre Dame për francezët, është Manastiri i Deçanit për serbët.

“Megjithatë, ka një ndryshim të madh, që është se Notre Dame është ndërtuar në qendër të Parisit, ndërsa Deçani është në një luginë të largët, nën malet ku ka shpella për murgjit. Të kesh një qëndrim kaq të çuditshëm, mbi pasurinë dhe bukurinë që ke, sa nuk e bën aty ku do ta shohin të gjithë, por aty ku dëshiron të fshihesh, është si të veshësh kostumin më të bukur dhe më pas të mos dalësh nga shtëpia. Është kaq madhështore sa mendoj se tani po përdorim forcën dhe humanizmin tonë të fundit për të mbajtur një lidhje me ata njerëz që i bënë të gjitha këto. Dhe është një privilegj i tillë që ata janë paraardhësit tanë dhe që ne kemi njëfarë të drejtë të themi se jemi të tyre”, thekson Petroviq.

Një arsye tjetër pse realizohet filmi, sipas Petroviqit, buron nga problemi që kanë serbët, që është se ata i drejtohen vetes, pra se “të gjitha gjërat që kanë elemente të propagandës u drejtohen atyre për të cilët nuk ka nevojë të bindin ata”.

“Çelësi i Deçanit” do të merret me dy priftërinj mes të cilëve ka një paralele, pikërisht abatin aktual Sava Janjiq dhe Danilo Kazhanegra, i cili ishte abat në “kohë ndoshta edhe më të vështira, nëse do të kishte kohë më të vështira”, në fundi i shekullit të 18-të. Petroviq shpreson që grupi i xhirimit të shkojë në Deçan në fund të shtatorit dhe të fillojë punën.

“Do të doja të filmoja në fund të vjeshtës, kur fillon bora, në kushte të vështira. Nuk do të jetë ai filmi si perëndon dielli, një ndërtesë e mrekullueshme, që ekziston tashmë në arkiva dhe nëse na nevojitet, do ta marrim. Njerëzit nuk e dinë, por në mesin e viteve tetëdhjetë TV Beogradi bëri një serial. Regjisori Dragoslav Bokan dhe kinematografi Zoran Singjeliq kaluan një muaj në Deçan dhe filmuan një seri dokumentarësh seriozë, në kuptimin që u ngjitën në kupolë, ndërtuan skela, shkrepën pamje nga afër nga qirinjtë në ikonostas… Tani nuk do të xhironi arkitekturë, gurë dhe objekte, por do të merremi me dy abatët dhe ata të gjallë që e bartin atë mrekulli”, tha ai.

Petroviq tregon se është planifikuar që premiera e filmit “Çelësi i Deçanit” të bëhet vitin e ardhshëm në ditën e “Shën Stefanit”, më 24 nëntor. /Ballkani.info/