Serbi Dodik bëhet shkak për mosnjohjen e Kosovës nga Bosnja e Hercegovina

Ashtu edhe siç pritej më herët, anëtari serb i presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, ka penguar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti boshnjak.

Serbi Dodik ka pamundësuar njohjen e Kosovës nga ky shtet, edhe pse në presidencë, dy anëtarët tjerë ishin pro, mirëpo sipas rregullave nëse një anëtar është kundër atëherë dështon marrja e vendimit.

Kroati Zhelko Komshic dhe kryesuesi boshnjak, Shefik Xhaferovic votuan pro njohjes së Kosovës, por ishte Dodiku ai që doli kundër.

“Dodiku nuk ka pranuar njohjen e Kosovës si shtet të pavarur. Votuam 2 me 1 për këtë vendim. Ai ishte kundër dhe kjo do të jetë çështje për javët e ardhshme. Pritet që Dodiku të kërkojë mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe dhe të prezantojë aty çështjet ku Kosova lidhet me ‘storie të rrezikshme që mund të përshkallëzojë në storie ndarjeje’, dhe besoj se e dini të gjithë ku shpien kjo”, ka thënë Komshic, raporton “Klix”.

Kujtojmë se sot në një seancë të jashtëzakonshme u fol dhe votua për njohjen e Kosovës nga ana e Bosnje e Hercegovinës.

Si kundërpërgjigje ndaj kësaj, Komshic dhe Xhaferovic kanë votuar kundër iniciativës së Dodikut që ambasada e BeH-së të zhvendoset në Jerusalem.