Serbët në veri brohorasin kundër Vuçiqit dhe Listës Serbe: Tradhtar (Video)

Qytetarë serbë janë mbledhur në veri të Mitrovicës, pasi në mesditë u dëgjuan sirenat në atë zonë.  

Sirenat më vonë u ndalën, por qytetarët ende po qëndrojnë të mbledhur në një pjesë të Mitrovicës Veriore.

Siç raporton medium serb “Kossev”, qytetarët janë dukshëm të pakënaqur me situatën dhe publikisht shprehin pakënaqësinë e tyre me Listën Serbe dhe brohorasin kundër presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Në mesin e tyre që kanë brohoritur ‘tradhtar’ shihen edhe disa persona të maskuar.

Këto zhvillime ndodhën pas arrestimit të një personi, për të cilin dha detaje Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, njoftoi Sveçla.